Në një hap të rëndësishëm për përmirësimin e administratës dhe infrastrukturës në Komunën e Podujevës, Kryetari Shpejtim Bulliqi, së bashku me drejtorin për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit, Liridon Gashi, morën pjesë në vendosjen e numrit të parë në një objekt privat, duke shënuar kështu fillimin e realizimit të projektit për standardizimin e adresave në të gjitha objektet publike dhe private në këtë komunë.
Ky projekt është një iniciativë e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, në bashkëpunim me Agjencinë Kadastrale të Kosovës dhe Komunën e Podujevës, dhe është i financuar nga Banka Botërore. Vlera totale e investimit për Komunën e Podujevës është 160,080 euro, ndërsa planifikohet që të vendosen gjithsej 32,016 adresa në objekte publike dhe private.
Ky projekt ka një rëndësi të veçantë për qytetarët, pasi do të mundësojë një standardizim të adresave, duke siguruar saktësi në identifikimin e lokacioneve dhe lehtësuar planifikimin urban dhe administrativ. Për më tepër, ky sistem i adresave do të ndihmojë edhe institucionet në organizimin dhe ofrimin e shërbimeve për qytetarët, duke bërë që Komuna të ketë një infrastrukturë më të mirë dhe një menaxhim më efikas.
Kryetari Bulliqi e theksoi se ky projekt është një hap i rëndësishëm në modernizimin e infrastrukturës dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët e Komunës së Podujevës, dhe premtoi që angazhimi për realizimin e projekteve që përmirësojnë cilësinë e jetesës do të vazhdojë pa ndërprerje.