Me nder dhe respekt të veçantë, deputetja nga radhët e PDK-së, znj. Ariana Musliu Shoshi, ka vizituar familjen e heroit Malush Ahmeti në fshatin Rezallë të Skenderajt.
Gjatë kësaj vizite, znj. Musliu Shoshi pati një bisedë të ngrohtë me zonjën e shtëpisë, Shukrije Ahmeti, dhe luftëtarin e lirisë, Bahri Ahmeti. Ajo kujtoi me emocion kohët e fëmijërisë së kaluar së bashku si miq dhe lidhjen e veçantë me sakrificën e jashtëzakonshme të familjes Ahmeti për lirinë e Kosovës.
Në fjalën e saj, deputetja vlerësoi forcën dhe qëndresën e zonjës Shukrije, e cila përveç humbjes së bashkëshortit të saj heroik, Malush Ahmetit, përjetoi edhe dhembjen e rëndë të humbjes së djalit të saj, Leotrimit. “Forca dhe qëndresa e saj janë shembull frymëzimi për të gjithë ne,” ka thënë Musliu Shoshi.
Deputetja theksoi rëndësinë e ruajtjes së kujtimit për heronjtë dhe familjet e tyre, duke deklaruar se historia e familjes Ahmeti është një kujtesë e gjallë e borxhit që shoqëria jonë ka ndaj atyre që sakrifikuan gjithçka për lirinë e Kosovës.
“Lavdi e përjetshme Malush Ahmetit, Leotrimit dhe të gjithë atyre që dhanë gjithçka për atdheun tonë!” përfundoi postimin e saj znj. Musliu Shoshi, duke ndarë fotografi nga vizita që pasqyrojnë respektin dhe mirënjohjen e saj për këtë familje heroike.