Prishtinë, 7 janar 2025 – Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka mbajtur sot një konferencë për media ku ka prezantuar planet dhe vizionin e saj për zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit. Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, gjatë fjalës së saj theksoi se partia është plotësisht e mobilizuar dhe e përgatitur për të udhëhequr Kosovën drejt një të ardhmeje më të mirë.

“Ne jemi të angazhuar për të siguruar që çdo qytetar i Kosovës do të përfaqësohet denjësisht, dhe kjo është puna që kandidatë tanë dhe strukturat tona në terren kanë bërë me përkushtim të plotë”, tha Çitaku.

Ajo njoftoi se gjatë fushatës zgjedhore, PDK-ja do të mbajë mbi 1,700 tubime në të gjithë territorin e Kosovës, ku do të prezantohet programi dhe vizioni i partisë për të ardhmen e vendit.

“Ne jemi të sigurtë që kandidatët tanë dhe programi i PDK-së ofrojnë mundësinë më të mirë për një Qeveri të Kosovës që do të sjellë ndryshime të vërteta dhe do të sigurojë një jetë më të mirë për qytetarët tanë”, shtoi Çitaku.

Hapja zyrtare e fushatës do të realizohet më 11 janar 2025, në Sallën “1 Tetori” në Prishtinë, duke filluar nga ora 16:30. Çitaku e përshkroi këtë ngjarje si një festë të unitetit dhe shpresës, ku të gjithë qytetarët janë të ftuar të bashkohen për të mbështetur angazhimin e PDK-së për një Kosovë më të fortë dhe më të drejtë.

Gjatë konferencës, u bë e ditur gjithashtu se Blerand Stavileci është emëruar si zëdhënës zyrtar i fushatës, ndërsa nënkryetarja Besiana Musmurati do të mbështesë këtë angazhim. Stavileci theksoi angazhimin e PDK-së për transparencë dhe bashkëpunim të ngushtë me mediat gjatë gjithë periudhës së fushatës.

“Për ne, roli i gazetarëve është shumë i rëndësishëm për demokracinë e Kosovës, dhe angazhimi ynë për një bashkëpunim të hapur dhe të drejtpërdrejtë do të jetë një nga prioritetet tona. Këto zgjedhje janë një mundësi për ta formësuar të ardhmen e Kosovës, dhe ne do të sigurojmë që qytetarët të jenë gjithmonë të informuar dhe të kenë qasje të plotë në informacionet që ata meritojnë”, tha Stavileci.

PDK-ja bëri thirrje për angazhim aktiv të qytetarëve dhe i ftoi ata të bashkohen nën numrin 131 për një të ardhme më të mirë dhe më të fuqishme për Kosovën. Partia beson se me liderët dhe kandidatët e saj të përkushtuar, Kosova mund të arrijë nivelin më të lartë të zhvillimit dhe të drejtësisë për qytetarët e saj.

SHPËRNDAJE