Arjon Hasaj ka pranuar para hetuesve se është autori i vrasjes së 33-vjeçarit Ramazan Mataj, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e 4 janarit në fshatin Dragoç të Shkodrës. Hasaj ka marrë përsipër kryerjen e krimit dhe ka shpjeguar motivin që e shtyu drejt këtij akti të rëndë.
Sipas deklaratës së tij, vrasja u shkaktua nga një lidhje dashurie që Ramazan Mataj kishte me motrën e tij prej 6-vjetësh. Ai tha se gjatë kësaj periudhe, Mataj kishte shkatërruar dy martesa të motrës së tij dhe se kishte shpërndarë video intime të saj te ish-burrat dhe persona të tjerë në fshat.
“Unë jam personi që e kam vrarë shtetasin Ramazan Mataj. Prej 6-vjetësh ai kishte një lidhje me motrën tonë. Ramazani është personi që i ka prishur dy martesa motrës në 6 vjetët e fundit. Ai këtë histori ua ka treguar shumë personave në fshat dhe më gjërë ndërsa është personi që divorcoi dy herë motrën tonë.
Madje ka shpërndarë edhe disa video tek ish-burri i dytë dhe te njerëz të tjerë në fshat në momente intime me motrën. Unë hapa një llogari false në instagram me emrin e një vajze dhe lashë një takim me Ramazan Matajn. Ai erdhi dhe aty e qëllova me armë zjarri. Më pas armën e fsheha disa metra më tutje nga vendi ku e vrava. Pas vrasjes jam larguar me biçikletë drejt banesës. Armën e kam pasur në shtëpi prej disa kohësh. Motra ka disa kohë që nuk jeton në banesën tonë, jetonte në Shkodër”, thuhet në njoftimin e policisë.
Sipas hetuesve, Hasaj ka krijuar një llogari false në rrjete sociale, duke u shfaqur si një vajzë dhe ka lënë një takim me Matajn në fshatin Dragoç. Gjatë këtij takimi, ai ka qëlluar 33-vjeçarin me armë zjarri dhe është larguar me biçikletë./EuroNews