Presidentja Vjosa Osmani në takimin me zëvendëssekretarin amerikan të Shtetit për Menaxhim dhe Resurse, Richard R. Verma, tha se i është konfirmuar se Kosova dhe SHBA-të do ta finalizojnë së shpejti Dialogun Strategjik.
“Pas propozimit që i kam dërguar Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si Presidente e Republikës qysh në vitin 2021, pastaj rikonfirmuar në qershor të vitit 2022 nëpërmjet notës verbale si dhe në takimin me Sekretarin Blinken në korrik 2022, si dhe pas një pune të jashtëzakonshme të ekipeve tona përgjatë viteve të kaluara, sot në takim me Zv.Sekretarin amerikan Verma m’u konfirmua se Kosova dhe SHBA-të do ta finalizojnë së shpejti Dialogun Strategjik”, ka shkruar Osmani menjëherë pas takimit.
“Falënderoj Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për këtë përkrahje ndaj popullit të Kosovës dhe mezi pres ta vazhdojmë bashkëpunimin intensiv në interes të Kosovës”.
Osmani tha se ekipet e Kosovës dhe të SHBA-së do të takohen së shpejti për ta finalizuar marrëveshjen për Dialogun Strategjik, e cila do të përfshijë “fusha shumë të rëndësishme në interes të qytetarëve të Kosovës”.