Reçaku, vendi që simbolizon dhimbjen dhe sakrificën për liri, ishte sot në qendër të vëmendjes së liderëve të Koalicionit për Familje, të cilët bënë homazhe në kujtim të të rënëve dhe nderuan vlerat e shenjta të familjes shqiptare.

Gjatë vizitës, z. Ferid Agani, një nga liderët kryesorë të këtij koalicioni, theksoi se forca dhe uniteti i familjes shqiptare ishin thelbësore për të mbajtur gjallë shpresën e popullit në ditët e errëta të historisë sonë. Ai nënvizoi se kjo forcë qëndron si shtyllë kryesore për ruajtjen e traditave dhe trashëgimisë tonë kombëtare.

“Ishte pikërisht forca dhe uniteti i familjes që mbajti gjallë shpresën e këtij populli në ditët më të vështira. Duke nderuar të rënët, angazhohemi që vlerat e familjes dhe traditat tona të mbeten të paprekura për brezat që vijnë,” tha z. Agani.

Kjo vizitë shërbeu si një mesazh i fuqishëm për rëndësinë e ruajtjes së vlerave të familjes shqiptare, të cilat kanë qenë dhe mbeten burim i qëndresës dhe fuqisë kombëtare. Liderët e Koalicionit për Familje u shprehën të vendosur për të avancuar këto vlera në punën e tyre politike dhe shoqërore.

Reçaku, si një pikë historike dhe simbolike për të gjitha brezat, vazhdon të kujtojë sakrificat e përjetuara në rrugën drejt lirisë dhe të frymëzojë angazhimin për një të ardhme të qëndrueshme e të ndritur për Kosovën.

SHPËRNDAJE