Në Podujevë u nënshkrua marrëveshja për ndërtimin e impiantit të trajtimit të ujërave të zeza, një projekt madhor me vlerë totale prej 35 milionë euro.

Projekti financohet nga një kredi prej 25 milionë eurosh e siguruar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), me kthimin e mjeteve të mbuluar nga Qeveria e Kosovës, si dhe një grant prej 10 milionë eurosh nga Korniza Investive e Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor.

Ky projekt i rëndësishëm realizohet në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës, BERZH-in dhe Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”. Kryetari i Komunës së Podujevës, z. Shpejtim Bulliqi, njoftoi se ndërtimi i këtij impianti do të trajtojë ujërat e zeza sipas standardeve bashkëkohore, duke kontribuar në uljen e ndotjes së lumenjve dhe mbrojtjen e burimeve ujore në rajon.

Ceremonia e nënshkrimit u zhvillua në prani të Ministrit të Financave, z. Hekuran Murati, Zëvendësministrit të Ekonomisë, z. Getoar Mjeku, Drejtorit të BERZH-it në Kosovë, z. Sergiy Maslichenko, dhe Kryeshefit të KRU Prishtina, z. Arsim Fetahu.

Ky investim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të qëndrueshëm të komunës së Podujevës dhe përmirësimit të standardeve të jetesës për qytetarët e saj.

SHPËRNDAJE