Prishtinë, 27 janar 2025 – Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit të Donika Gërvallës, duke e akuzuar atë për fyerje sistematike ndaj UÇK-së, udhëheqësve dhe pjesëtarëve të saj.

Në reagimin e tyre, kryetari i OVL-UÇK, Hysni Gucati, e ka cilësuar të papranueshëm qëndrimin e Gërvallës, duke thënë se ajo ka tepruar rëndë në gjuhën dhe qëndrimet e saj ndaj Luftës Çlirimtare, të cilën e ka quajtur “të lavdishme”.

“E zeza Donikë, për të satën herë, është duke fyer UÇK-në, udhëheqësit e saj dhe pjesëtarët e saj. Kësaj here e ka tepruar, madje shumë, ku për qëllime elektorale, ndoshta me lejen apo direktivat e shefit të saj, ka shënjestruar komandantët, duke i quajtur të vetëshpallur,” thuhet në reagimin e organizatës.

OVL-UÇK ka rikujtuar se liria dhe pavarësia e Kosovës janë fituar me sakrificat e popullit, gjakun e mbi 2500 dëshmorëve dhe ndihmën e NATO-s, ndërsa ka akuzuar Gërvallën se veprimet dhe deklaratat e saj po minojnë të vërtetën historike.

“Ne nuk jemi vetëshpallur. Me vetëdije të plotë i kemi dalë përballë armikut, atij armiku që disa, si soji i Donikës, qysh në atë kohë, kanë punuar në favor të tij duke fabrikuar dëshmi kundër pjesëtarëve të UÇK-së,” thuhet më tej në reagim.

Organizata ka përmendur me krenari betejat heroike të UÇK-së, duke përfshirë Betejën e Prekazit dhe rezistencën e Komandantit Legjendar Adem Jashari, si dhe luftën e komandantëve të tjerë, të cilët e vazhduan betejën për liri.

Në fund të reagimit, OVL-UÇK ka bërë thirrje për ndalimin e fyerjeve ndaj Luftës Çlirimtare dhe paralajmëroi se populli nuk do të tolerojë veprime keqdashëse ndaj trashëgimisë kombëtare.

“Një ditë, jo të largët, vetë populli do t’u pështyj surratin e do t’ju hedhë në koshat e plehrave. Sepse kur mbeturinat flasin keq për njerëzit, vetëm plehrat i besojnë.”

Reagimi përmbyllet me një thirrje drejtuar Donika Gërvallës dhe atyre që ndajnë mendime të ngjashme me të, për të ndalur sulmet e padrejta ndaj pjesëtarëve të UÇK-së dhe vlerave të Luftës Çlirimtare.

SHPËRNDAJE