Me sukses është mbajtur Kuvendi i Rregullt i Punës i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare të futbollit, si dhe të fushës sportive në përgjithësi. Ky kuvend u karakterizua nga një atmosferë konstruktive, vizion i përbashkët dhe vendosmëri për avancimin e mëtejshëm të futbollit kosovar.

Presidenti i FFK-s, z. Agim Ademi, falënderoi nga zemra të gjithë kuvendarët për qytetarinë e treguar dhe bashkëpunimin konstruktiv. “Falënderoj të gjithë kuvendarët për vizionin e përbashkët drejt zhvillimit të futbollit tonë. Ky është një hap i rëndësishëm për të ndërtuar një të ardhme edhe më të ndritur për futbollin në Kosovë”, theksoi ai.

Një falënderim i veçantë shkoi për përfaqësuesit e FIFA-s dhe UEFA-s, Marco Ferri dhe Denis Bastari, të cilët morën pjesë në cilësinë e monitoruesve. Ata e vlerësuan lart organizimin e Kuvendit, duke e cilësuar si një shembull modern dhe duke lavdëruar unanimitetin e të gjithë anëtarëve të pranishëm.

Pjesë e Kuvendit ishin edhe Musa Selimi nga Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK), si dhe Ilir Shulku e Lutfi Nuriu nga Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF), të cilët kontribuan me praninë e tyre në rritjen e peshës së këtij takimi të rëndësishëm.

Presidenti Ademi shprehu gjithashtu mirënjohje për klubet, investitorët dhe të gjithë kontribuesit që ndihmojnë në avancimin e futbollit në Kosovë. “Së bashku po ndërtojmë një të ardhme më të ndritur për futbollin tonë. Vazhdojmë me krenari dhe përgjegjësi”, u shpreh ai.

Fotografitë nga Kuvendi e pasqyrojnë qartë atmosferën pozitive dhe bashkëpunimin e ngushtë mes pjesëmarrësve, duke reflektuar unitetin dhe përkushtimin e Federatës për zhvillimin e futbollit kosovar.

 

SHPËRNDAJE