Me fillimin e stinorit pranveror në Albi Mall Superligën e Kosovës, futbolli kosovar hyn në një tjetër fazë emocionuese, ku garat e forta dhe spektakli sportiv do të jenë në qendër të vëmendjes. Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka dhënë mesazhin e tij për të gjithë akterët e futbollit, duke theksuar rëndësinë e një kampionati të ndershëm dhe profesional.

Në mesazhin e tij, Ademi ka shprehur përkushtimin e FFK-së për të avancuar më tej kampionatin, duke ofruar kushte më të mira për klubet dhe lojtarët, si dhe duke punuar për zhvillimin e infrastrukturës dhe rritjen e cilësisë së garës.

“Ne kemi punuar vazhdimisht për të siguruar një garë sa më të ndershme dhe profesionale, duke forcuar sistemin e ndarjes së drejtësisë dhe duke rritur standardet organizative në çdo aspekt,” ka deklaruar Ademi, duke ftuar të gjithë të jenë pjesë e një stinori të mbushur me rivalitet, fair-play dhe emocione të forta.

Ai gjithashtu ka vlerësuar përgatitjet e skuadrave gjatë fazës dimërore, si dhe përkushtimin e drejtuesve të klubeve për të siguruar kushte optimale për lojtarët e tyre. Në këtë kuadër, Ademi është i bindur se ky edicion do të sjellë një kampionat të fortë dhe rivalizues, ku cilësia dhe spektakli do të jenë të pranishëm në çdo ndeshje.

Presidenti i FFK-së ka shprehur një falënderim të veçantë për sponsorin gjeneral të Superligës, AlbiMall, për mbështetjen e vazhdueshme në zhvillimin e futbollit të Kosovës. Ai po ashtu ka falënderuar të gjithë sponsorët e klubeve dhe partnerët e tjerë që po kontribuojnë në ngritjen e nivelit të futbollit kosovar.

Në fund, Ademi ka uruar fat dhe suksese të gjitha klubeve, duke përfunduar mesazhin e tij me fjalët: “Le të fitojë më i miri!”

Me rikthimin e Superligës, pritet një pjesë e dytë e sezonit plot emocione dhe duele të zjarrta për titullin kampion dhe mbijetesën në elitën e futbollit kosovar.

SHPËRNDAJE