Në historinë e sistemit shëndetësor të Kosovës, ka pak iniciativa që kanë pasur ndikim aq të madh sa Fondi për Trajtimin e Pacientëve Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike. Krijimi i këtij fondi, gjatë mandatit të ish-ministrit të Shëndetësisë, z. Ferid Agani, mbetet një nga kontributet më të rëndësishme për qytetarët e Kosovës, duke mundësuar trajtimin e qindra pacientëve që ndryshe nuk do të kishin pasur mundësinë të luftonin për jetën e tyre.

Sigurisht, në çdo betejë për jetën, vullneti i Zotit është ai që përcakton fatin e njeriut. Por përmes këtij fondi, shumë familje sot i kanë pranë të dashurit e tyre falë mundësisë për të marrë trajtim adekuat jashtë vendit, një mundësi që dikur ishte e paarritshme për shumë qytetarë të Kosovës. Pikërisht ky fond ka qenë shpëtim për fëmijët e vegjël që kanë luftuar me sëmundje të rënda, për prindërit që kanë pasur nevojë për trajtime të specializuara dhe për shumë të tjerë që përballeshin me sfida shëndetësore të pamundura për t’u trajtuar brenda vendit.

Z. Ferid Agani, me përkushtimin e tij si ministër, hodhi themelet e një mekanizmi financiar që mundësoi shtetit të mbulojë shpenzimet për trajtime jashtë Kosovës. Me këtë, ai jo vetëm që dha një shembull të qeverisjes me vizion, por gjithashtu bëri një hap të rëndësishëm drejt humanizmit dhe solidaritetit social. Ky fond ka lehtësuar barrën financiare të familjeve që përndryshe do të përballeshin me një realitet të dhimbshëm dhe të pashpresë.

Rezultatet e këtij fondi janë të dukshme. Mijëra pacientë kanë marrë trajtime jetike në spitale të specializuara jashtë Kosovës, duke pasur kështu një mundësi më të madhe për shërim. Në vitet e fundit, qindra qytetarë kanë përfituar nga ky fond çdo vit, dhe impakti i tij vazhdon të ndihet në çdo familje që ka kaluar nëpër sfida shëndetësore.

Kjo nismë na kujton se vendimet e duhura politike mund të bëjnë ndryshimin mes jetës dhe vdekjes. Megjithatë, për fat të keq, sistemi shëndetësor i Kosovës ka stagnuar që nga koha e z. Ferid Agani, pa bërë hapa të mëtejshëm për përmirësimin e tij. Sidomos në aspektin e sigurimeve shëndetësore, nuk është bërë asnjë përparim që nga largimi i z. Agani nga Ministria e Shëndetësisë. Përkundrazi, mungesa e reformave dhe vullnetit politik ka lënë qytetarët ende të ekspozuar ndaj sfidave të mëdha financiare kur përballen me sëmundje të rënda. Rruga për një sistem më të fortë shëndetësor nuk duhet të ndalet këtu, por të vazhdojë me hapa konkretë për të siguruar një të ardhme më të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.

SHPËRNDAJE