Në Gjilan sot pasdite në një aksident trafiku në Rrugën Qarkore ka humbur jetën gazetari i gazetës “Zëri” Petrit Sherifi.
Përreth dy vjet sa ka punuar në “Zëri”, gazetari Sherifi ka shkruar për fushën e ekonomisë.
Redaksia e ka pranuar me pikëllim të thellë lajmin për humbjen e kolegut.
Gazeta “Zëri” i shpreh ngushëllime familjes Sherifi për humbjen e familjarit të tyre.
Për vdekjen e Sherifit dhembje ka shprehur edhe Asociacionit të Gazetarëve Profesionistë të Kosovës (AGPK), dhe Unioni i Gazetarëve të Kosovës (UGK) të cilët nëpërmjet një telegrami ngushëllimi kanë ngushëlluar komunitetin e medieve dhe familjen e të ndjerit.
Në telegramin e ngushëllimit të AGPK-së thuhet:
Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës me dhimbje të thellë ka marrë lajmin për vdekjen tragjike të kolegut tonë, Petrit Sherifi, gazetar i të përditshmes “Zëri”. Kolegu Sherifi humbi jetën nga një aksident tragjik në moshë shumë të re.
Asociacioni i Gazetarëve Profesionist të Kosovës shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Sherifi dhe gazetarëve që humbën një prej kolegëve që e bëri punën e tij, me një profesionalizëm dhe përkushtim të lartë”.
Megjithëse në moshën 23 vjeçare, Petrit Sherifi, çdo ditë ka dhënë shembull të mirë se si bëhet gazetaria.
Prandaj vdekja e hershme e Petritit është humbje e madhe jo vetëm për familjen por edhe për të tashmen dhe të ardhmen e gazetarisë kosovare.
Ndërkaq, në telegramin e ngushëllimit të UGK-së thuhet:
Unioni i Gazetarëve të Kosovës (UGK), me dhembje dhe pikëllim ka pranuar lajmin për vdekjen tragjike të kolegut Petrit Sherifi, gazetarë në gazetën e përditshme “Zëri”.
Unioni i Gazetarëve të Kosovës (UGK), i shpreh ngushëllime familjes Sherifi nga Pogragja e Gjilanit, për humbjen më të dashurit të tyre.
UGK po ashtu u shpreh ngushëllime gjithë stafit të gazetës “Zëri”, për humbjen e kolegut profesionistë dhe me shumë perspektivë.