Rreth orës 14,30 të së mërkurës në rrugën magjistrale Junik-Rastavicë, në lagjen “Çokë” të Junikut, ka ndodhur vrasje e dyfishtë, ndërsa njëri nga viktimat është plagosur dhe është në rrezik jete.

Zëdhënësi i Policisë Rajonale të Pejës, Xhevat Ibraj, i cili ishte në vendin e ngjarjes, ka konfirmuar se, nga të shtënat me armë zjarri, kanë vdekur Vllaznim dhe Blerim Pukaj, kurse plagë të rënda ka marrë, Nazmi Pukaj, që të tre nga fshati Koshare e komunës së Gjakovës, të cilin që nga pas lufta ishin me vendbanim të përkohshëm në “Lagjen e dëshmorëve” në Baballoq të Deçanit, që të tre të moshës nën 30 vjeç.

Derisa, njëri nga viktimat ka mbetur i vdekur në vendin e ngjarjes, tjetri ka vdekur në spital, vdekjen e të cilit e ka konfirmuar mjeku kujdestar.

Zëdhënësi Ibraj, ka njoftuar po ashtu se viktimat ishin duke udhëtuar me automjetin “Golf 2”, ngjyrë të bardhë, në drejtim të Junikut, ndërsa, në vendin e krimit një ose më shumë persona, pas një kacafytje, ka ardhur deri te përdorimi i armëve të zjarrit, me ç’rast personat e dyshuar, kanë shtënë në drejtim të viktimave.

Pavarësisht nga ngjarja, është herët të thuhet për motivin e vërtetë që ka shtyrë të dyshuarit për të bërë krimin.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësiti rajonal për krime serioze, njësiti i kriminalistikës teknike, prokurori i qarkut dhe epror të lartë të drejtorisë rajonale të Pejës. Gjithnjë sipas Ibraj, DRP, ka hartuar planin operativë për kapjen e të dyshuarve.

Në veprim janë vënë njësitë e specializuara dhe patrulla të veçanta të policisë në drejtime të ndryshme, përkatësisht drejt kufirit Shqipëri-Kosovë dhe vende tjera, ku dyshohet se mund të jenë të strehuar të dyshuarit.

Po ashtu, Ibraj ka konfirmuar se, policia ka arritur të identifikoj personat e dyshuar dhe pritët së shpejti arrestimi i tyre. (Zëri)

SHPËRNDAJE