Nga Mero BAZE

“Gjë më të neveritshme nuk mund tu zënë sytë shqiptarëve. Një kryeministër, i cili që prej 12 qershorit ka nën kontroll qeverinë, parlamentin, presidentin, gjykatat dhe gjithë sistemin e drejtësisë dhe thuajse gjithë shtypin shqiptar, do doemos të ketë nën kontroll dhe opozitën. Është ekzaktësisht sindroma e vitit 1996 dhe vera e nxehtë e atij viti, që pasi vodhi zgjedhjet dhe kontrollonte gjithë pushtetet, harxhoi muaj të tërë të zëvendësonte Fatos Nanon në burg me Ilir Metën që e mbante si kapter rezerve për të kontrolluar opozitën”…

Nuk është shumë interesante të dëgjosh Fatos Nanon qysh pas vitit 2005, por është shumë argëtuese të dëgjosh Berishën për Fatos Nanon qysh pas vitit 2007. Në shfrimin e fundit të Fatos Nanos, situata duket dhe më ekzaltuese. Fatos Nano, në hallin e vet që e ka zënë, dhe që nuk pranon dot se po e përdor shantazhin mbi opozitën si taksë ndaj bizneseve me Berishën, po artikulon teza të forta opozitare, të cilat kanë qejf t’i dëgjojnë opozitarët. Po akuzon Edi Ramën se ka shitur 21 Janarin, Gërdecin, 8 Majin, zgjedhjet e vitit 2009 dhe përpjekjen për hapjen e kutive si dhe vjedhjen e zgjedhjeve në Tiranë. Është ekzaktësisht njeriu që e ka quajtur humbje të pastër rezultatin e qershorit 2009, është njeriu që e ka quajtur teprim nga opozita demonstratën paqësore të 21 Janarit, është njeriu që ka këmbëngulur se Lulëzim Basha ka fituar pastër më 8 maj dhe njeriu që bën biznese në Vjenë me të njëjtit njerëz që bënë biznesin e Gërdecit. Por as kjo nuk është interesante pasi nuk ka ndërmend njeri t’i kërkojë në këtë vapë Fatos Nanos të jetë konsekuent. Ajo që e zbukuron gjithë shfrimin e dëshpëruar të Fatos Nanos është ekzaltimi i Sali Berishës. Teza kryesore e Fatos Nanos se Sali Berishën e mund vetëm ai, ka gëzuar më shumë se socialistët, Sali Berishën. Mediat e tij si qendra zëri, veçmas mediat e grupit Klan, kanë filluar në kor të përcjellin ekzaltimin e Sali Berishës për këtë tezë. Është aq i gëzuar dhe aq i kënaqur që më në fund e gjeti një njeri që do ta mundë dhe do ta heqë nga pushteti, sa është gati të lërë çdo punë këto kohë dhe të merret me ndihmën ndaj Fatos Nanos që ta mundë dhe ta heqë nga pushteti. Nga mënyra se si Berisha dhe mediat e tij përcjellin me entuziazëm shfrimin e Fatos Nanos, duket sikur ata po vuajnë nga një pushtet që u ka ngelur në dorë dhe duan doemos të gjejnë një njeri që t’i mundë. Dhe meqë Fatos Nano ka vite që del vullnetar për Sali Berishën, në oborrin e Berishës gati po festohet për këtë.

Gjë më të neveritshme nuk mund tu zënë sytë shqiptarëve. Një kryeministër, i cili që prej 12 qershorit ka nën kontroll qeverinë, parlamentin, presidentin, gjykatat dhe gjithë sistemin e drejtësisë dhe thuajse gjithë shtypin shqiptar, do doemos të ketë nën kontroll dhe opozitën. Është ekzaktësisht sindroma e vitit 1996 dhe vera e nxehtë e atij viti, që pasi vodhi zgjedhjet dhe kontrollonte gjithë pushtetet, harxhoi muaj të tërë të zëvendësonte Fatos Nanon në burg me Ilir Metën që e mbante si kapter rezerve për të kontrolluar opozitën. Është po aq i pasionuar sa atëherë ta marrë opozitën, të ketë një njeri të vetin që t’ia besojë atë, dhe pastaj ai “le ta mundë”. Këtë radhë ka gjetur Fatos Nanon, atë që atëherë e mbante në burg dhe donte t’i merrte dhe partinë. Atëherë e dëmtoi boll opozitën, por nuk e mori dot. Tani që është aq i lexueshëm dhe aq vulgar në projektet e tij për të tërhequr vëmendjen nga regresi që Shqipëria po bën pikërisht prej superpushtetit të tij, duket dhe vulgar, dhe primitiv, dhe i rrjedhur. Akoma mendon se shqiptarët nuk kanë të drejtë të mendojnë dhe të kujtojnë kush është Sali Berisha dhe Fatos Nano. Akoma mendon se në këtë vend nuk ka rëndësi çfarë ndodh dhe si po shkojnë punët, por si i përjeton ai. Është aq i përfshirë në idenë se po mori dhe opozitën do të bjerë rehat, sa tani angazhimi për t’iu lutur Fatos Nanos të rrijë dhe ca javë pa filluar plazhi akoma në Shqipëri, po paguhet më shtrenjtë se llokmat që Berisha po u dhuron biznesmenëve të oborrit nga Himara në Velipojë. Mediat e tij kanë dalë rrugëve me mikrofon në dorë dhe pyesin popullin e Berishës a ju pëlqen Fatos Nano dhe a mund t’ia besojnë opozitën atij, biznesmenët e tij po nxiten të mbledhin fonde për të, administrata e tij është në dispozicion të kërkesave të kandidatit për lider të opozitës së Berishës dhe në fund dhe kushtet e vendosura nga Bashkimi Evropian për të marrë ftesën në tetor, mund të lidhen me faktin nëse ai do të marrë opozitën nën kontroll apo jo.

Është një sindromë që këtë njeri e kap gjithmonë kur vendi bën një hap mbrapa në sytë e Perëndimit dhe sidomos në rastet kur ai konsumon para syve të publikut gjithë karshillëkun e tij ndaj Perëndimit. Me zgjedhjen e Bujar Nishanit në krye të vendit, ai demonstroi vullnetin e tij të qartë për të qenë gati dhe fizikisht vetë President i Republikës dhe e qartësoi përmes gojës së Nishanit, që do veprojë shpejt mbi Prokuroren e Përgjithshme dhe sistemin e drejtësisë. Për të mbuluar këtë alarm që ngjall në Perëndim regresi i dukshëm i bërë me vullnetin e tij, po telendis në këtë pikë vape Fatos Nanon, duke e vërsulur për të disatën herë mbi opozitën.

Opozita dhe faktorët opozitarë në Shqipëri nuk kanë gjë me Fatos Nanon. Ata gëzohen dhe kur Fatos Nano bën gjasme si opozitar. Janë gati ta dëgjojnë atë të thotë çfarë të dojë e si të dojë. Janë gati ta durojnë kur fryhet e shfryhet pasi opozita nuk e ka betejën me Fatos Nanon, por me Sali Berishën. Fatos Nano, në pastë durim të rrijë akoma ca javë këtu e të bëjë si opozitar, do jetë një arritje e madhe për rekordet e tij si opozitar sezonal në dispozicion të pushtetit pas vitit 2007. Frika e vetme është se do zhgënjejë Sali Berishën dhe nuk do t’i qëndrojë deri në fund dëshirës së tij për të marrë kontrollin mbi opozitën dhe kjo mund të ketë kosto për të. Në vitin 1996 Berisha po bënte të njëjtën gjë, por kish zgjedhur Ilir Metën, i cili në të vërtetë është më punëtor, më i përqendruar dhe më eficient për të qenë destruktiv. Fatos Nano nuk i ka as këto cilësi. Ai nuk i del zot dot Berishës për këtë hall që e ka zënë, ndaj duhet lënë të (sh)fryhet dhe të iki. Dhe të mos ia kthejë as lekët./ noa.al

SHPËRNDAJE