Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH) thotë se gjykatat serbe marrin vendime degraduese dhe nënçmuese dhe në mënyrë të padrejtë i kompensojnë viktimat jo serbe. FDH është zotuar se do të apelojë vendimin e një gjykate, e cila nga shteti serb ka kërkuar që t’ua kompensojë dëmin pesë shqiptarëve të Kosovës në vlerë prej 1.3 milion dinarë (rreth 11 000 euro).

Në një deklaratë të lëshuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare thuhet se shqiptarët e dëmtuar morën kompensim për shkak se që nga viti 1999 ishin ndaluar në mënyrë të paligjshme nga tetë deri në 17 muaj, dhe ishin keqtrajtuar nga pjesëtarët e Ministrisë së Brendshme të Serbisë dhe të Ushtrisë Jugosllave.

Nga qeveria e re, Fondi do të kërkojë që të vendosë një standard të vetëm kompensimi për ata që u shkelen të drejtat të njeriut dhe të heqë “diskriminim de facto kundër viktimave jo-serbe”.

Fondi tha se gjykata ka gjetur se MPB dhe UJ kanë arrestuar pa bazë ligjore Tahir Bytyçin, Rrahman Elshanin, Hysni Podrimçakun dhe Bekim Istogun, të cilët gjatë qëndrimit në burg i janë nënshtruar torturave, të cilat ua kanë dëmtuar shëndetin.

“Gjykata konstatoi se Ministria e Brendshme serbe nuk i informoi familjet e tyre për arrestimin, duke shkelur kështu Kodin e Procedurës Penale”, thuhet në deklaratën e FDH.

Fondi vuri në dukje se më 26 prill të 2010-ës në emër të viktimave të të drejtave të njeriut e ka iniciuar procedurën për realizimin e të drejtës për kompensim financiar dhe ka mbajtur gjashtë seanca, ndërsa dëmtimin e ka shqyrtuar ekipi i ekspertëve mjekësorë, të cilët gjetën se shëndeti i tyre ishte paaftësuar përgjithmonë. /Telegrafi/

SHPËRNDAJE