Drejtues të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), në përmbyllje të fushatës parazgjedhore në Isniq të Deçanit, i kanë bërë thirrje elektoratit që më 9 janar të votojnë LDK-në, ndërsa kanë përsëritur edhe një heqë qëndrimin e kësaj partie kundër arritjes së koalicionit qeverisë me PDK-në.
Isa Mustafa, kryetar i LDK-së, ka thënë të premten se qytetarët në garën e rivotimit kësaj të diele duhet të dalin masoviokisht dhe të votojnë për LDK-në, për shkak, siç ka thënë ai, kjo parti ka vënë fillet e demokracisë në Kosovë.
“Anëtarët e Lidhjes Demokratike kanë votuar si duhet. Jam shumë i bindur që ne jemi munduar që të japim votën legjitime, mirëpo ka ndodhur që të deformohet procesi, është shkelur vota e qytetarëve, jo vetëm në Deçan, por në shumë vende në Kosovë, është vënë në dyshim legjitimiteti i këtyre zgjedhjeve dhe ne duke respektuar organet e Republikës së Kosovës, KQZ-në, PZAP-in, Gjykatën Supreme, kemi pranuar dhe e kemi parë të arsyeshme të bëjmë aktivitet në mënyrë që të zhvillojmë jetën institucionale dhe në mënyrë që Kosova të ketë institucionet e saja”, ka thënë Mustafa.
Kryetari i LDK-së edhe një herë ka përsëritur se nuk do të lidhin koalicion qeverisë me PDK-në, e cila në zgjedhjet e 12 dhjetorit ka dalë partia e parë në vend.
“Ne e kemi thënë qartë këtu në dy tubimet tjera që kemi pasur në Deçan, se ne jemi qartë të orientuar lidhur me ndërtimin e koalicioneve dhe lidhur me vendin që Lidhja Demokratike do ta ketë në pushtetin e ardhshëm, dhe kemi thënë se nëse jemi të parët. Jam shumë i bindur që me vota ishte dashur të jemi të parët, por vota është abuzuar. Ne nuk do të bëj koalicion me Partin Demokratike” ka theksuar Mustafa. Mustafa u ka bërë thirrje deçanasve që mos të votojnë njerëzit, sipas tij, që nuk janë në gjendje të marrin vendime për Kosovën.
“LDK-ja do të rri si një opozitë e fortë dhe me një opozitë konstruktive do t’i ndihmojmë demokracisë në Kosovë. Ne do të luftojmë që të mbahen zgjedhjet të vërteta në Kosovë që burojnë drejtpërdrejt nga vullneti i qytetarëve, dhe jo zgjedhe që burojnë nga mbushja e kutive jashtë vendvotimeve, sepse kështu nuk do të kemi institucione të besueshme, nuk do të kemi parlament të besueshëm dhe nuk do të kemi qeveri të besueshme”, ka thënë Mustafa.