Sot rivotohet në pesë komuna të Kosovës

Përfaqësuesi i “Demokracisë në Veprim”, Kreshnik Basha, në emër të koalicionit i ka ftuar subjektet politike që të demonstrojnë përgjegjësi politike dhe të mundësojnë një garë korrekte e demokratike. Koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim” (DV) ka raportuar se deri në orën 08:00, janë hapur të gjitha vendvotimet në Skënderaj, Drenas, Deçan, Malishevë e Lipjan. Në këto komuna po përsëriten votimet si pasojë e gjetjes së parregullsive më 12 dhjetor. Për shkak të parregullsive të evidentuara në procesin zgjedhor të 12 dhjetorit, sot në pesë komuna të Kosovës do të përsëriten zgjedhjet. Qytetarët do t’iu drejtohen sërish kutive të votimit në Drenas, Skenderaj, Deçan, si dhe në qendrat e votimit të caktuara në Lipjan dhe Malishevë.

“Demokracia në Veprim”, kësaj radhe, ka të angazhuar mbi 500 vëzhgues, nga dy për çdo vendvotim, një nga komunat përkatëse dhe një nga komuna të tjera të vendit. Vëzhguesit e DV-së kanë raportuar se janë mbyllur për 45 minuta dy vendvotime në fshatin Zabel të Ulët të Drenasit, për shkak të pranisë së madhe të vëzhguesve partiakë, të cilët kanë refuzuar t’i lëshojnë vendvotimet. Ky koalicion ka njoftuar se në Syriganë të Skënderajt, vendbanim i banuar nga komuniteti serb, është duke u votuar në shtëpi private e jo në shkollë.

“Vetëvendosje”: Parregullsi në Skenderaj

Lëvizja “Vetëvendosje” ka raportuar për parregullsi në një qendër votimi në komunën e Skenderajt. Përmes një komunikate për media, kjo lëvizje njofton se “vëzhguesit e saj nuk janë lejuar të hyjnë në qendrën e votimit 2124b në Kopiliq të Ulët të Skenderajt, me arsyetimin se janë nga komuna të tjera e jo nga ajo e Skenderajt”. “Gjatë përpjekjes për të hyrë brenda, vëzhguesit tanë kanë vërejtur se kutitë kanë qenë gjysmë të mbushura, si dhe ka munguar spreji dhe llambat ultra-vjollcë”, thuhet në komunikatë.

“Vetëvendosje” vë në pah se vëzhguesit e saj nuk janë lejuar të hyjnë brenda nga ana e policisë, të cilët kanë thënë se “nuk bëjnë asgjë pa marrë urdhër nga komisionari kryesor”. Kjo lëvizje ka raportuar se “disa vetura të militantëve të PDK-së janë endur atypari, duke i kërcënuar vëzhguesit e “Vetëvendosjes””. Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, në konferencën e parë të mbajtur të dielën, ka njoftuar se procesi i rivotimit po zhvillohet në rregull, ndërsa kërkoi nga anëtarët e këshillave të vendvotimeve dhe vëzhguesit, të veprojnë sipas ligjit dhe rregullave të KQZ-së.

Në Kosovë sot po zhvillohen zgjedhje të pjesshme në pesë komuna për deputetë të parlamentit të nivelit qendror. Zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve thonë se me kohë janë hapur qendrat e votimit në pesë komunat e Kosovës, ku procesi për zgjedhjet parlamentare të nivelit qendror po i nënshtrohet procesit të rivotimit pas parregullsive, që u shënuan në zgjedhjet e 12 dhjetorit të vitit të shkuar. Të drejtë vote kanë afro 130 mijë qytetarë të këtyre komunave. Mbi dy mijë vëzhgues janë akredituar nga KQZ-ja, për të mbikëqyrur këtë proces votimi me qëllim të shmangies së manipulimeve të mundshme. Shefi i zyrës civile ndërkombëtare Peter Faith, i cili koordinon ekipet ndërkombëtare të vëzhguesve, ka thënë se zgjedhjet e sotme janë një test për imazhin e Kosovës. Përsëritje të tërësishme të zgjedhjeve zhvillohen në komunat, Skenderaj, Drenas dhe Deçan, ndërsa, zgjedhje të pjesshme po zhvillohen në disa qendra votimi, në Lipjan dhe Malishevë. Të hapura janë gjithsej 69 qendra votimi në të gjitha këto komuna.

SHPËRNDAJE