Në zgjedhjet e parakohshme të 5 qershorit do të garojnë 20 parti politike dhe një listë e kandidatëve të pavarur të emëruar si lidhja qytetare. Kështu njoftoi kryetari i KSHZ, Boris Kondarko duke shtuar se deri nesër në mesnatë ky institucion duhet të shqyrtoj listat e dorëzuara. Në listat që do të konstatohen parregullsi, do të kthehen tek propozuesi i cili në afat prej 48 orësh duhet t’i eliminoj ato. Nëse propozuesi i listës nuk i eliminon parregullsitë dhe nëse ka vetëm një emër kontestues atëherë hidhet poshtë komplet lista e kandidatëve për njësinë e caktuar zgjedhore. Po ashtu do të hidhen poshtë edhe listat që nuk do të përmbajnë 20 emra të kandidatëve. VMRO-DPMNE, LSDM dhe “Dinjiteti” do të garojnë në të gjitha 9 njësit zgjedhore, ndërsa me kandidatë të tyre në diasporë do të garojnë gjithsej 12 parti politike.

“Mbrëmë deri në ora 24 më 5 maj në afatin ligjor deri te KSHZ kanë arritur gjithsej 20 lista të kandidatëve të partive politike dhe një listë e kandidatëve të pavarur. Ne sot fillojmë me shqyrtimin e listave dhe me vërtetimin e rregullshmërisë së tyre do t’i vërtetojmë dhe nëse jo do t’i kthejmë tek propozuesi për përpunim”, tha kryetari i KSHZ-së, Boris Kondarko.

Kondarko njoftoi se KSHZ nuk ka pranuar akoma kërkesa individuale për fshirjen e tyre nga lista e kandidatëve ndërsa nuk deshi të komentoj paraprakisht për rastin e Xhezair Shaqirit i cili është i dënuar me 18 muaj për vepër penale “rrëmbim”.

“KSHZ varësisht nga ajo që do të has në listat do të veproj në bazë të ligjit. Unë nuk mundem paraprakisht të ndërhyj në parashikime nëse ka pasur flet arrest për ndonjërin nga kandidatët, nëse ka nevojë do të drejtohemi deri tek organet përgjegjëse të cilët do të na japim informatë adekuate”, tha Kondarko.

Ndryshe numri i votuesve të interesuar nga diaspora vetëm në 24 orëshin e fundit është rritur dyfish dhe pritet që regjistri i votuesve të diasporës të përfshij rreth 10 mijë votues. Sonte skadon afati kur MPJ duhet t’i dorëzoj kërkesat për votim nga përfaqësitë diplomatike konsullore deri në KSHZ e cila pastaj do të verifikoj numrin përfundimtar të tyre.

SHPËRNDAJE