Janë marrë të gjitha masat si dhe janë bërë të gjitha përgatitjet për sigurimin e zgjedhjeve, që më 5 qershor të mbahen në një frymë demokratike, sipas standardeve të vendeve të Bashkimit Evropian, bëri të ditur Policia e Maqedonisë.
“Me sukses ka përfunduar trajnimi i shtatë mijë policëve, të cilët do të jenë të angazhuar drejtpërdrejt në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, duke u informuar saktësisht për kompetencat që do t’i kenë në ditën e zgjedhjeve si dhe në cilat raste duhet reaguar”, tha zëdhënësi i policisë, Ivo Kotevski.
Partia më e madhe në pushtet VMRO-DPMNE ka kumtuar se opozita maqedonase përgatit skenarë për dëmtimin e procesit zgjedhor, që të mos njihen rezultatet. Këto deklarime i ka hedhur poshtë opozita maqedonase – Lidhja Social-Demokrate.
Nënkryetari i saj, Zoran Zaev, tha se partia e tij angazhohet për zgjedhje, ku do të respektohet vota e çdo qytetari.
“LSDM mbetet e përkushtuar që të ketë zgjedhje fer dhe demokratike, ku, para së gjithash, do të respektohet vullneti i popullit. Të gjithë aktivistët tonë kanë marrë udhëzim që t’i shmangen çfarëdo provokimi nga ana e partisë në pushtet, e cila duket qartazi se reflekton që tani nervozizëm, sepse humb besimin e votuesve”, u shpreh Zaev.
Partitë politike shqiptare vlerësojnë se, në përgjithësi, fushata është zhvilluar në një atmosferë të qetë dhe demokratike.
“Fushata në tërësi ka qenë e mirë, pa incidente fizike, megjithatë ka mbetur nën hijen e presioneve dhe keqpërdorimit të forcës së pushtetit ndaj qytetarëve. Ne apelojmë që kjo të përfundojë me kaq dhe dita e zgjedhjeve të jetë ditë festive, ku të gjithë qytetarët e Maqedonisë do të mund të shprehin vullnetin e tyre lirisht, duke votuar për atë që mendojnë se do t’i prezantojë më së miri interesat e tyre”, tha zëdhënësi i shtabit zgjedhor nga “Demokracia e Re”, Arianit Hoxha.
Edhe Abdulhaqim Ademi, shef i shtabit zgjedhor nga partia më e madhe shqiptare në pushtet – Bashkimi Demokratik për Integrim – u zotua se zgjedhjet do të përfundojnë në një atmosferë demokratike.
“Fushata ka qenë e qetë, demokratike dhe promovuese. I është dhënë mundësia çdo kandidati dhe partie në formë të drejtë të promovohet dhe të promovojë programin e partisë që përfaqëson. Kjo është vlerë demokratike, për të cilën ne kemi punuar duke u angazhuar në vazhdimësi, për nëntë vjet me radhë”.
“Jemi të lumtur që arritëm ta instalojmë të njëjtën në Maqedoni. Shpresoj se edhe e diela do të jetë e qetë, fer dhe demokratike, duke mundësuar që çdo qytetar ta shprehë vullnetin e tij politik”, tha Ademi.
Komuniteti ndërkombëtar u ka bërë thirrje partive politike për të siguruar që zgjedhjet të jenë në përputhje me standardet ndërkombëtare, si një nga kushtet kryesore për procesin e integrimit të vendit në strukturat euroatlantike.