Bisedimet për formimin e Qeverisë së re janë kah fundi. Përpos marrëveshjes për eshalonin e parë që përfshin ministrat, zv/ministrat dhe sekretarët shtetërorë, partnerët e koalicionit VMRO-DPMNE dhe BDI janë duke biseduar rreth ndarjes së posteve të drejtorive, agjencive, fondeve dhe institucioneve tjera të nivelit qendror.

Shefi i grupit negociator nga radhët e BDI-së, Abdylaqim Ademi tha sot se në fund të javës së ardhshme gjithçka të jetë gati dhe programi të dorëzohet në parlament, bashkë me përbërjen e re të Qeverisë së ardhshme. Ademi tha se me partnerin e koalicionit po bisedojnë që programet parazgjedhore të dy partive të shndërrohen në program të Qeverisë.“Bëhet fjalë për program të përbashkët i cili do të duhet të reflektojë programet e dy partive politike dhe frymën që është në ato dy programet, nënkuptohet këtu duke përfshirë edhe prioritetin kryesor që është eurointegrimet, zhvillimin ekonomik, marrëdhëniet ndëretnike, marrëveshja e Ohrit e kështu me radhë”, tha Abdylaqim Ademi, sekretar i përgjithshëm i BDI-së. Por partnerët e koalicionit vazhdojnë edhe më tej të mos japin informata rreth emrave të ministrave të ardhshëm të Qeverisë Gruevski. Në BDI thonë se për emrat do të vendosë kryesia e partisë dhe lideri Ali Ahmeti.

“BDI ose kryesia e saj ende nuk ka diskutuar për emrat që do të udhëheqin me dikasteret që tanimë i kemi bërë publike që do të udhëhiqen nga kuadrot e BDI-së. Presim shumë shpejt javën e ardhshme kjo edhe të vendoset”, tha Abdylaqim Ademi, sekretar i përgjithshëm i BDI-së.

Siç mëson ALSAT M partnerët e koalicionit VMRO-DPMNE dhe BDI ende nuk kanë arritur ndonjë marrëveshje rreth ndarjes së posteve në drejtoritë e sigurimeve.

Partia e Ahmetit vazhdon të këmbëngulë që të udhëheqë me drejtorinë e zbulimit dhe kundërzbulimit të cilën për momentin e drejton Sasho Mijallkov ose Drejtorinë e sigurimit publik në krye të së cilës është Lupço Todorovski.

Ende nuk dihet se cila nga dy drejtoritë që janë të lidhura me financat, do t’i takojnë BDI-së Drejtoria e të ardhurave publike apo drejtoria e doganave.

SHPËRNDAJE