Sebastian Vettel e ka fituar para kohe titullin e tij të dytë të botës dhe është kurorëzuar si kampioni më i ri i dyfishtë botëror në histori të Formula 1.

http://www.botasot.info/img/wettel9tet.jpegPërfundimi nuk vihej në dyshim, por është ndryshe kur vjen vetë momenti madhështor i fitores. Sebastian Fetel nuk mund të gjente fjalë dhe nuk mund të përmbante lumturinë e tij pasi u shpall kampion bote për të dytin vit radhazi në Formula 1, pasi zuri vendin e tretë në garën e Çmimit të Madh të Japonisë, zhvilluar sot në mëngjes në Suzuka.

Fetel është kampioni i dyfishtë më i ri në histori, në moshën 24 vjeç e 99 ditë, pasi u bë kampioni më i ri i botës sezonin e kaluar në moshën 23 vjeç e 123 ditë. Po ashtu, ai mban rekordet si më i riu që fitoi një garë, që u ngjit në podium dhe që fitoi një “pole position”.

Piloti i Red Bullit, u nis nga vendi i parë, pasi fitoi “pole position”-in të shtunën, por nuk pati synim fitoren me çdo kusht, madje duke mos sulmuar seriozisht as Ferrarin e Fernando Alonsos që zuri vendin e dytë.

Gara në Suzuka u fitua nga anglezi i Meklaren Mercedesit, Xhenson Baton, kampion i botës në vitin 2009, pasi përballoi sulmet e fundit të Alonsos.

Ljuis Hamilton fillimisht u ngjit në vend të dytë duke kaluar shokun e tij të skuadrës, Baton, në start, por më pas pati probleme, pasi iu shpua një gomë dhe sërish u prek në parakalim me Ferrarin e Felipe Masës. Veçse, këtë herë anglezi nuk u dënua dhe përfundoi në vendin e pestë.

Një figurë shumë të mirë bëri 7 herë kampioni i botës, Mikael Shumaker, i cili zuri vendin e gjashtë, madje duke mos qenë larg vendeve të para.

Deri në fund të kampionatit kanë mbetur edhe katër gara – në Kore, Indi, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Brazil.

Rezultatet:
1. Xhenson Baton (Meklaren) 1:30:53.427
2. Fernando Alonso (Ferari) +1.160
3. Sebastian Vetel (Red Bull) +2.006
4. Mark Veber (Red Bull) +8.071
5. Luis Hamilton (Meklaren) +24.268
6. Mihael Shumaher (Mercedes) +27.120
7. Felipe Masa (Ferari) +28.240

Plasmani i përgjithshëm:
1. Vetel 324 pikë
2. Baton 210
3. Alonso 202
4. Veber 194
5. Hamilton 178
6. Masa 90
7. Niko Rozberg (Mercedes) 63
8. Shumaher 60

SHPËRNDAJE