Presidenti i Republikës, Bamir Topi, në krye të delegacionit zyrtar shqiptar, zhvilloi sot një takim të ngrohtë e miqësor me Presidentin e Turqisë, Abdullah Gyl, gjatë qëndrimit në Stamboll, ku po zhvillohen punimet e Konferencës së 4-t të Kombeve të Bashkuara mbi Vendet më pak të Zhvilluara.
Në bashkëbisedimin mes dy personaliteteve të larta u vlerësua fillimisht niveli i shkëlqyer i marrëdhënieve mes dy vendeve dhe miqësia tradicionale e historike mes popujve tanë, për të cilat Presidenti Topi dhe homologu turk, Gyl, shprehën besimin se do të zhvillohen e thellohen më tej, në dobi të interesave e angazhimeve të përbashkëta, në fusha të shumta e të rëndësishme të zhvillimit të vendeve tona.
Më tej, Presidenti Topi bëri një panoramë të situatës më të fundit në vend, të realizimit me sukses dhe sipas standardeve demokratike të zgjedhjeve vendore të 8 majit si dhe të projekteve të reja të rëndësishme, sidomos pas liberalizimit të vizave për Shqipërinë me Bashkimin Evropian, duke theksuar se shteti shqiptar dhe qytetarët shqiptarë janë të ndërgjegjshëm për sfidat dhe detyrimet që i presin përpara gjatë rrugëtimit integrues për në Bashkimin Evropian.
Kreu i Shtetit shqiptar, duke vlerësuar edhe njëherë mbështetjen e pakursyer të shtetit e popullit mik të shqiptarëve, Turqisë, edhe në momente me rëndësi jetike për vendin tonë, shprehu mirënjohje për ndihmesën e madhe në të gjitha fushat, por veçanërisht në atë të mbrojtjes, në kuadër të angazhimit të vendit tonë si anëtar i NATO-s, në misionet paqeruajtëse në Afganistan e Irak, ku forcat ushtarake të të dyja vendeve tona kanë dhënë kontributin e tyre krah për krah në dobi të forcimit të paqes në botë.
Presidenti i Turqisë, Abdullah Gyl, pasi vlerësoi rolin e rëndësishëm e moderator të Presidentit Topi në konsolidimin e shtetit shqiptar, por dhe në skenën politike shqiptare, e siguroi se shteti turk do të mbështesë fuqimisht Shqipërinë në hapat e saj të rëndësishëm të përforcimit të shtetit demokatik. Gjithashtu, Presidenti Gyl theksoi se intensifikimi i mëtejshëm i bashkëpunimit dypalësh dhe kalimi me sukses i të gjitha etapave për të plotësuar standardet, do të jenë ndikojnë dukshëm në realizimin e qëllimit të përbashkët të integrimit të dy vendeve tona në Bashkimin Evropian.
Gjatë bisedës, Presidenti Topi dhe Presidenti Gyl diskutuan edhe për rëndësinë që mbart mbajtja e Konferencës së 4-t të Kombeve të Bashkuara mbi Vendet më pak të Zhvilluara, pasi nxit liderët e vendeve më të fuqishme të demonstrojnë më tepër mbështetje e përkrahje për vendet që kanë nevojë për progres, për të patur një zhvillim global ekonomik, mirëqënie e stabilitet.