Në një deklaratë për media, zëdhënësja e Partisë Demokratike (PD), Albana Mustafaraj, i bëri sot thirrje liderit të opozitës që të mos e mbajë peng integrimin e vendit duke mos i lejuar deputetët e tij të votojnë ligjet me 3/5-at.
“Sot, z. Rama pranoi faktin që e dinë të gjithë qytetarët, se ai ka bllokuar dhe vazhdon të bllokojë votimin në parlament të ligjeve me 3/5, dhe e bën këtë vetëm e vetëm për të bllokuar statusin e vendit kandidat për Shqipërinë. Deklarata e tij sotme dëshmon se ajo ç’ka ai foli të shtunën ishte vetëm agjenda e mbijetesës së tij personale dhe politike, dhe aspak angazhimi i forcës së tij politike për procesin e integrimit të vendit.
Ai sot në fjalën e tij në grupin parlamentar nuk ofroi asnjë arsye të vetme që e shtyn atë të përdorë mos-votimin e ligjeve që kërkojnë 84 vota në parlament, për të bllokuar statusin e kandidatit. Këto ligje të standardeve më të mira sipas ekspertëve ndërkombëtarë, kanë mbi 2 vjet, që nuk votohen nga opozita në parlament, duke mos paraqitur asnjë argument ligjor kundër tyre”, tha ajo.
Duke shtuar se “shqiptarët e dinë se bllokimi i amendamenteve të kodit rrugor që imponojnë teknologji të re për drejtuesit e automjeteve dhe uljen e aksidenteve vdekjeprurëse rrugore, bllokimin e rekomandimeve ndërkombëtare për luftën e korrupsionit ndaj zyrtarëve, apo bllokimi i ligjeve që vijnë si detyrim nga anëtarësia e Shqipërisë në organizatën Botërore të Tregtisë, bëhet me qëllimin e vetëm, për të mos lejuar që Shqipëria të marrë statusin e kandidatit”.
“Në qoftë se PS ka kundërshtime thelbësore për këto ligje, ajo mund t’i kishte paraqitur dhe mund ti paraqesë në çdo kohë, por deri më sot nuk kanë sjellë as edhe një propozim të vetëm. Partia Demokratike (PD) fton z. Rama që të lërë mënjanë agjendën e tij personale politike, të mos vazhdojë bllokimin e grupit të tij parlamentar dhe t’i lejojë deputetët e PS të votojë për këto ligje që përbëjnë edhe kushtin më kryesor për integrimin e vendit. Partia Demokratike (PD) është e përkushtuar jo me fjalë por me vepra konkrete, rritje rrogash dhe pensionesh, krijim të vendeve të reja të punës, ndërtimin e rrugëve, shkollave, kanalizimeve e spitaleve, investime të huaja të mëdha, të çojë përpara procesin e integrimit të vendit në BE”, përfundoi Mustafaraj.