Gazeta “The New York Times”, boton sot një kritikë të romanit “Aksidenti” të Ismail Kadaresë, duke thënë për shkrimtarin që ai mesa duket nuk është në gjendje të shkruajë një libër që të mos jetë interesant.

Kritiku Çarls Mekgrath e cilëson librin që doli në treg këtë muaj në Shtetet e Bashkuara, provokativ duke përmendur si një nga arsyet faktin që libri fillon në një mënyrë dhe shndërrohet në diçka krejtësisht tjetër.

Kritiku Çarls Mekgrath thotë se një gjë e tillë përçon ndjesinë se kjo është mënyra sesi e sheh Kadare botën: si një vend që shndërrohet vazhdimisht dhe e rikrijon vetveten.

Gazeta shkruan se “Aksidenti” nuk është një nga arritjet e mëdha të shkrimtarit dhe se lexuesit që duan të shijojnë Kadarenë në kulmin e tij, duhet t’i drejtohen librit “Kronikë në gur”, ose “Ura me tri harqe”.

Kritiku përshkruan ngjarjet në libër, duke thënë se në një farë kuptimi historia e dy të dashurve Besfort Y dhe Rovena St, duket e zakonshme, një marrëdhënie herë e ngrohtë, herë e ftohtë, ndoshta e intensifikuar nga politika ballkanike dhe nga periudhat që ata kalonin pa njëri-tjetrin, duke zjerë nga brenda. Hidhësia e zënkave të tyre, shpesh shpërblehet nga butësia e pajtimit të tyre. Ndarja, megjithëse ata flasin shpesh për të, duket se nuk është një mundësi. Ata mund të mos jenë të dashuruar, por historia e tyre vazhdon.

Kritiku vë në pah rolin e hetuesit, që ai thotë se është një personazh që personifikon vetë shkrimtarin dhe zhgënjimin e tij, pamundësinë për të ditur çdo gjë me siguri, dhe ashtu si personazhi edhe romani i hyn një rruge me spekulime gjithnjë e më të ndërlikuara, para se të mbërrijë tek përfundimi.

Mekgrath thotë se ata që mbeten pas me gjithë këto hamendje metafizike, janë Rovena dhe Bersforti që siç thotë ai në vend që të zhvillohen dhe të bëhen më interesantë, reduktohen si personazhe. Ai thotë se ata bëhen kaq të panjohur, saqë pothuajse nuk janë më personazhe.

Kritiku thotë se ndoshta kjo është e qëllimshme nga ana e shkrimtarit, por do të thotë se lexuesi privohet nga disa nga kënaqësitë tradicionale të romanit, si iluzioni se po e njeh personazhin personalisht, në favor të ndjesisë marramendëse të të parit të tyre si përmes pasqyrave të një labirinthi.

Mekgarthi sugjeron se ndoshta kjo ishte ndjesia e njerëzve në Shqipërinë e Enver Hoxhës, dhe se “Aksidenti” më shumë sesa parabolë është një realitet i kthyer përmbys.

Sido që të jetë rasti, thotë kritiku, libri të çon në vende ku nuk është e zakontë që të çojnë romanet dhe të krijon ndjenjën e mirënjohjes që nuk të duhet të jesh atje. Kritiku thotë se libri është përkthyer rrjedhshëm nga Xhon Hoxhson

SHPËRNDAJE