Në mbledhjen e këshillit Drejtues të Shoqatës morën pjesë: Xhemaledin Salihu, Abedin Selimi, Sali Salihu (Bujanoc), Nehat Ramizi (Bujanoc), Bilall Maliqi,  Havçe Hasani, Demush Berisha dhe Zeqirja Fazliu. Në sallën e Bibliotekës së qytetit “Mehmet Jusufi” në Preshevë, u mbajt mbledhja e Këshillit drejtues të Shoqatës së Trashëgimisë Kulturore në Preshevë.

Nga Bilall MALIQI

Preshevë, 12 shtato/ AIK-Presheva Jonë

Dihet mirëfilli se Shoqata në fjalë është themeluar në vitin 2010 dhe për objektiv ka ruajtjen e trashëgimisë dhe krijimtarisë kulturore. Deri më tani Shoqata në fjalë është treguar e suksesshme në mbarvajtjen e punëve që i ka me statut, duke mbajtur kështu edhe Tribunën shkencore me titull “Çështja e vallës popullore shqiptare në Preshevë dhe rrethinë” më 24 dhjetor të vitit 2010, të gjitha kumtesat tani janë të përmbledhura në një libër të rrallë dhe të veçantë. Kjo mbledhje ishte me rëndësi sepse në të u rreh një rend dite me të cilën iu dhanë “vizë” disa veprimeve të mëtutjeshme me rëndësi të veçantë për trashëgiminë e Luginës ë Preshevës. Në mbledhjen e këshillit Drejtues të Shoqatës morën pjesë: Xhemaledin Salihu, Abedin Selimi, Sali Salihu (Bujanoc), Nehat Ramizi (Bujanoc), Bilall Maliqi,  Havçe Hasani, Demush Berisha dhe Zeqirja Fazliu.

Për ta elaboruar më mirë pikën e parë të rendit të ditës lidhur me regjistrimin e trashëgimisë  së Luginës së Preshevës, foli kryetari i Shoqatës i cili në pika të shkurtra potencoi rëndësinë e regjistrimit të trashëgimisë jo vetëm në komunën e Preshevës por edhe në dy komunat e tjera të Luginës së Preshevës. Sipas tij regjistrimi do të bëhet më vonë në mënyrë digjitale, mori një formular kopje si shembull se si duhet të bëhet regjistrimi i trashëgimisë. Të bëhet edhe një hartë topografike për trashëgiminë e Luginës, të hapet në të ardhmen edhe një web-faqe e trashëgimisë ku aty do të futeshin të gjitha të dhënat e regjistrimit të trashëgimisë. Të krijohen edhe trupa punues lidhur me mbarvajtjen sa më efikase të regjistrimit për çdo objekt veç e veç si letërnjoftim të secilës pjesë të trashëgimisë.

Më pas për pikën e parë të rendit të ditës z. Havçe Hasani potencoi se për t’u bërë regjistrimi i trashëgimisë kulturore është vështirë sepse kërkohen mjete materiale për të gjithë ata që gjurmojnë vlerat e trashëgimisë, pra njerëzit profesional që merren me këtë lëmi duhet të paguhen dhe puna do të ecë më natyrshëm.

Sipas Sali Salihut nga Bujanoci, i cili u shpreh se në parim pajtohet me mendimin e zonjës Havçe, sa i përket komunës së Bujanocit ne ende nuk kemi mundur të bëjmë diçka lidhur me mundësinë e regjistrimit të trashëgimisë kulturore në komunën e Bujanocit, por në të ardhmen së bashku me Nehat Ramizin do të punojmë më vrullshëm sa i përket regjistrimit të trashëgimisë kulturore e cila është me rëndësi për këto tri komuna.

Në temën e parë të rendit të ditës u mor qëndrim që të punohet dhe të jetësohet iniciativa në lëvizjen  e regjistrimit të trashëgimisë kulturore të Luginës së Preshevës.

Për pikën e radhës  të rendit të ditës pati debat lidhur me mbajtjen e  Konferencës shkencore e cila do të shoqërohet edhe me kumtesa të ndryshme nga studuies dhe intelektualë të profileve të ndryshme lidhur me temën “ Dasma shqiptare në Preshevë  me rrethinë dje dhe sot”. Iniciativa është që kjo konferencë të jetë dy ditore, gjatë ditës të organizohet pjesa teorike (leximi i kumtesave), ndërsa në mbrëmje të mbetet forma praktike në formë të koncertit. Iniciativa e zonjës Havçe ishte që në të ardhmen kjo konferencë të shndërrohet në Festival treditor ku do të shpalosen doket , adetet, zakonet e Karadakut të Preshevës, Bujanocit  dhe të Medvegjës. Me këtë u pajtua edhe z. Abedin Selimi i cili propozoi që për këtë duhet të kërkohet sponsor general dhe sponsor të tjerë si dhe  ndihma nga Kuvendi Komunal. Edhe me këtë pikë të rendit të ditës të gjithë të pranishmit unanimisht u pajtuan.

Pika e tretë e rendit të ditës kishte të bëj me shënimin e 65 vjetorit të lindjes dhe 40 vjetorit të krijimtarisë letrare të shkrimtarit preshevar Jonuz Fetahaj, e cila pikë u aprovua dhe u vendos që në datën e lindjes së shkrimtarit të shikohet mundësia e mbajtjes së Manifestimit kushtuar kësaj figure të rëndësishme të letërsisë shqipe, por në të ardhmen të ketë edhe propozime që edhe krijuesve me rëndësi nga komuna e Bujanocit t’u mbahet ndonjë  përvjetor.

Në pikën tjetër Eventuale u fokusua më tepër iniciativa për përkrahjen e bojkotimit të regjistrimit të popullsisë që duhet të mbahen në tetor të këtij viti.

Në fund Shoqata e përkrah bojkotimin e regjistrimit të popullsisë nga tre kuvendet të mbajtur para disa ditëve në Preshevë. Pritet që në të ardhmen të gjitha këto pika të realizohen në praktikë, që më vonë të kemi një regjistrim komplet të trashëgimisë kulturore të Luginës së Preshevës

SHPËRNDAJE