Kryeministri Albin Kurti thirri një konferencë për media për të folur lidhur me zgjedhjet e brenshme të partisë, por nuk tha nëse do të rikandidojë për kryetar të Lëvizjes Vetëvendosje, raporton Gazeta Express.

Kurti tha se çdokush mund të synojë të bëhet kryetar i LVV-së dhe dha afatet për aplikim.

“Sot katër javë, saktësisht më 15 gusht, hapet mundësia për kandidaturat për kryetar në Lëvizjen Vetëvendosje. Dhe jo vetëm pë këtë. Hapet mundësia për kandidaturaën për kryetaren e Gruas për Vetëvendosje, kryetaren ose kryetarin e Rinisë për Vetëvendosje në nivel qendror, por edhe në nivel të secilës qendër. Kushdo që dëshiron, që synon që të bëhet kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje apo strukturave tjera, i kemi 4 javë që të mendojmë secili prej neve që jemi anëtarë, dhe më datën 15 gusht na hapet mundësia deri më 23 gusht dhe zgjedhjet mëpastaj do të mbahet më 25 shtator”, tha ai.

Kurti tha se beson që zgjedhjet e brendshme në LVV po përgatiten në një proces “fort demokratik e transparent”.

“Besoj që është një proces fort demokratik e transparent dhe po i ftojmë të gjithë që janë të interesuar”, tha ai.

Ai tha se ai do të vendosë për rikandidimin pas 4 javësh.

“Edhe unë individualisht do ta them fjalën time pas 4 javëve, atëherë kur do të na hapet mundësia”, tha Kurti.

Në vitin 2015, Kurti e kandidoi Visar Ymerin, i cili u bë përkohësisht kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje në një palë zgjedhje që konsideroheshin pjesë e “një procesi ristrukturimi”.

SHPËRNDAJE