Kryetari i AAK’së, Ramush Haradinaj, në një konferencë për media, bashkë me partnerët e koalicionit, ka njoftuar se më 11 janar, në ditën kur zyrtarisht fillon fushata zgjedhore për zgjedhjet e 9 shkurtit, do të bëjnë nderime në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, raporton Ekonomia Online.

Haradinaj ka thënë se me 12 janar në ora 13:30 në sallën 1 tetori në kryeqytet do të fillojnë fushatën zgjedhore.

Kryetari i AAK, ka theksuar se prioritet i kësaj partie është anëtarësimi i Kosovës në NATO dhe se AAK është e gatshme për të udhëhequr vendin drejt një të ardhme më të mirë.

“Do të bëjmë realitet anëtarësimin e Kosovës në NATO. Me 11 janar në ora 11:00 e bëjmë veprimin e parë solem, nderimin në memorialin në Prekaz për komandantin legjendar, Adem Jashari dhe familjen Jashari, ku dëshmojmë respektin e përjetshëm të sakrificës për liri të të gjithëve. Ndërsa me 12 janar në ora 13:30 në sallën 1 tetori e fillojmë fushatën zgjedhore me një tubim të madh ku paraqesim kandidatët dhe vizionin tonë programor”, ka thënë Haradinaj.

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, tha se vendi ka nevojë më shumë se kurrë që të kthej sigurinë dhe të ndërtojnë partneritetin me miqtë ndërkombëtare.

“Kosova ka qenë e mashtruar katër vite që lam pas, nuk besoj se Kosova do të pranoj të futet në një mashtrim të ri i cili do të humbte kohën e mundësinë familjeve tona. Më shumë se kurrë ka nevojë të kthejmë Kosovën në punë, të kthejmë sigurinë në Kosovë, te vazhdojnë të ndërtojmë e kultivojmë partneritetet ne miqtë tanë”, ka thënë Limaj.

Avdullah Klinaku, kryetar te Demokracia Konservatore, theksoi angazhimin e tyre për një të ardhme më të mirë për Kosovën, duke shprehur se angazhimi tyre do të jetë për të gjithë ata njerëz që besojnë në vlerat më të mira që i ka kultivuar kombi shqiptar.

“Angazhimi ynë do të jete për të gjithë ata njerëz të cilët besojnë në vlerat më të mira që i ka kultivuar kombi jonë, që nisin nga familja e çdo gjë çka ka krijuar e ka arrit të bëjë ky shtet e ky vend deri më tani, që në mënyrën më të mirë të mundshme të artikulojmë edhe në kuadër të programit por edhe në kuadër të qeverisje së ardhshme”, ka thënë ai.

Kryetari i Listës Ideali, Nuredin Lushtaku, tha se Kosova ka nevojë për liderë që dinë të punojnë dhe të guxojnë për të marrë vendime të rëndësishme për të ardhmen e vendit.

“Kosovës sot i duhen njerëz që dinë me punuar edhe guxojnë që të marrin edhe ndihmë edhe jo që të mbet Kosova peng e guximit të mos marrjes së vendimeve. Mendoj që këta dy njerëz, në krye me Haradinaj dhe Limajn janë të provuar qysh në rinin e tyre, sakrificën para luftë, luftën dhe gjitha sakrificat dhe ndërtimin e shtetit edhe pas lufte dhe jam i bindur që do të ja dalim siç duhet dhe Kosovës i duhen kësi njerëz që të udhëheqin se ka vendime shumë të rëndësishëm që duhen të merren për vendin dhe vendimet e rëndësishëm duhet që ti marrin njerëzit e guximshëm që të ecim përpara”, tha Klinaku.

Kryetar i Forumit Intelektual, Artan Nimani, shpjegoi se ky koalicion ka ofruar një orientim të qartë dhe ka hartuar një program të përbashkët zgjedhor, i cili ka si qëllim krijimin e një Kosovës fituese.

“Është jashtëzakonisht e qarte dhe është një orientim i cili na ka dhënë mundësin që të punojmë bashkërisht me këtë koalicion fitues dhe të koordinojmë të gjitha aktivitete që kanë të bëjnë më spektrin politik, ekonomik, diplomatik dhe në përgjithësi shoqëror. Pasi që nga marsi jemi bashkërisht duke punuar dhe hartuar platformën tonë të përbashkët e cila ka rezultuar me një program zgjedhor për Kosovën fituese. Jam i bindur që kjo platformë politik, ky koalicion i madh është shpresa e vetme e zgjedhjeve të 9 shkurtit”, ka thënë ai. /EO/

SHPËRNDAJE