Një numër i grave janë tubuar sot në Kabul të Afganistanit për ta dënuar dhunën kundër femrave.
Kjo protestë u bë pas ekzekutimit publik të një gruaje të re afgane të martuar në provincën Parvan, e cila ishte akuzuar për tradhti bashkëshortore.
Ministria për çështje të grave e Afganistanit e ka përshkruar demonstrimin e sotëm si “protesë në heshtje”.
Protestës iu bashkuan edhe disa ligjëvënëse, derisa gratë marshonin në selinë e Kombeve të Bashkuara në Kabul.
Ekzekutimi i femrës 22 vjeçare në provincën Parvan ka shkaktuar tmerr global.
Në video incizim shihej brohoritja e burrave, derisa gruaja u qëllua për vdekje.
Autoritetet afgane për këtë ekzekutim i kanë fajësuar militantët talibanë.
Por, talibanët kanë thënë se nuk ishin të involvuar në këtë rast.
Presidenti i Afganistanit, Hamid Karzai, e ka dënuar vrasjen duke e cilësuar si joislamike dhe të pafalshme.