Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, së bashku me anëtarin e Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, Ismajl Ajeti, mori pjesë sot në Kuvendin Zgjedhor të Lidhjes Rajonale të Futbollit të Gjakovës (LRFGj).

Gjatë këtij kuvendi të rëndësishëm për futbollin në rajonin e Gjakovës, Agim Nura u rizgjodh me vota unanime për një mandat të ri katërvjeçar si kryetar i LRFGj-së. Rizgjedhja e tij u vlerësua si një shenjë e besimit dhe mbështetjes së komunitetit të futbollit në këtë trevë.

Presidenti Ademi e përgëzoi Agim Nurën për rizgjedhjen dhe shprehu falënderime për komunitetin e futbollit në Gjakovë për kontributin dhe mbështetjen e tyre të vazhdueshme ndaj zhvillimit të futbollit. Ai ritheksoi angazhimin e FFK-së për të investuar më tej në infrastrukturën sportive dhe për të krijuar kushte optimale për rritjen dhe zhvillimin e talenteve të reja.

“Angazhimi ynë do të vazhdojë me investime të mëtejshme në përmirësimin e infrastrukturës dhe krijimin e kushteve optimale për zhvillimin e talenteve,” theksoi Ademi në mesazhin e tij.

Ky kuvend zgjedhor dhe rizgjedhja e Agim Nurës shënojnë një hap të rëndësishëm për futbollin rajonal, duke përforcuar përkushtimin e LRFGj-së dhe FFK-së për zhvillimin dhe promovimin e futbollit në Kosovë.

 

 

SHPËRNDAJE