Preshevë, 12 prill -Në përvjetorin e 13-të të rënies së dy pjesëtarëve të tyre, Armata Kombëtare Shqiptare sot në orët e para të mëngjesit ka bërë paraqitjen e radhës para publikut, me ç’rast kanë shprehur shqetësimin e tyre për zhvillimet aktuale politike në trojet shqiptare.
Këtë paraqitje AKSH-ja e ka bërë në një lokacion në rajonin e Mitrovicës, ku i ka akuzuar disa ish luftëtarë të lirisë që po qeverisin, se “janë futur në kurth nga Serbia për shkak të marrëdhënieve tregtare dhe lakmisë për t’i mbushur xhepat”.
Me ftesën e udhëheqësve të AKSH-së, gazetari i portalit Veriu.info, ka qenë i pranishëm në momentin kur Njësisë Speciale të AKSH iu lexua letra e dërguar nga komandanti i përgjithshëm i kësaj organizate.
Para Njësisë Speciale u tha se komandanti i Përgjithshëm i AKSH-së ka lëshuar prememorien, për të përshëndetur të gjithë AKSH-në dhe me këtë rast edhe Brigadën 21.
“Pushtimi i trojeve shqiptare dhe më vonë rezistenca për t’i mbrojtur trojet shqiptare nën sundim, i detyroj atdhetarët shqiptarë që me 4 dhjetor të vitit 1999 të formojnë AKSH-në, e cila që nga ai moment e deri më 2004 ka kryer shumë aksione në shërbim të interesave kombëtare”, u tha në letrën e dërguar, raporton Veriu.info.
Me këtë rasti u tha se 12 prilli i vitit 2003 ishte data ku ranë dëshmor Islam Berisha dhe Hamëz Behrami dhe nga atëherë AKSH-ja doli hapur.
“Serbia ka futur në kurth ata që ne u kemi besuar se janë luftëtar të lirisë, madje edhe u kemi dhënë besimin që të na qeverisin. Ata jo vetëm që nuk na kanë qeverisur, por janë futur në marrëdhënie tregtare dhe duket se lakmia ua ka mbushur xhepat. Ndryshe, nuk shpjegohet marrëveshja me Bashkimin e Komunave Serbe. Strukturat paralele që ekzistojnë sot Mitrovicë i torturojnë shqiptarët autokton dhe nuk i lejojnë të kthehen në vatrat e tyre. Unë si Komandant i Përgjithshëm i AKSH-së iu bëjë thirrje që të përgatitemi të funksionojmë më tej për t’i mbrojtur interesat kombëtare”, përfundon letra e komandantit të AKSH-së emri i të cilit nuk përmendet.
Veriu.info, ka zhvilluar edhe një bisedë të shkurtër me njërin nga drejtuesit e AKSH-së, i cili ka treguar se kjo organizatë shtrihet në Shqipëri, Maqedoni, Luginë të Preshevës dhe në disa pjesë të Kosovës.
Ai ka thënë se forcat e NATO-së i konsiderojnë forca mike, sikurse që i ka vlerësuar edhe institucionet e Kosovës, por ka thënë se nëse është nevoja AKSH do të mobilizohet shumë shpejt.
Duke mos pranuar të tregoj se saktësisht në cilat pjesë të Kosovës shtrihet, drejtuesi i AKSH-së ka thënë se kjo organizatë ka njësi, batalione, brigada, njësi speciale, për të cilat thotë se janë të stërvitura mirë.
I pyetur se ku e ka selinë AKSH-ja, komandanti nuk ka pranuar të tregoj për shkak të ndjeshmërisë së rastit, por ka thënë AKSH-në e përbëjnë popullata shqiptare, të cilat sipas tij gjenden në institucione dhe gjitha veprimtaritë e Kosovës.
“Kemi përkrahjen e madhe të tyre (v.j. popullit), kemi strukturat e shtrira në të gjitha pjesët e Kosovës dhe gjithmonë na e dhanë një përkrahje shumë të madhe”, ka thënë ai për Veriu.info.