Problemi i mungesës së shtetësisë për mijëra shqiptarë në Maqedoni deri tani nuk është përfshirë në agjendën dhe programin e asnjë partie në prag të zgjedhjeve të 5 qershorit.

Janë shifra të ndryshme që qarkullojnë lidhur me këtë problem, ndërsa jozyrtarisht burime partiake bëjnë të ditur se mbi 50 mijë shqiptarë vazhdojnë ende të përballen me mospasjen e nënshtetësisë së Maqedonisë.

Partitë politike theksojnë se janë në përfundim e sipër të programeve zgjedhore, ku nuk saktësojnë zgjidhjen e kësaj problematike.

Ligji për regjistrimin e popullsisë nuk ka të definuar këtë kategori të qytetarëve, të cilët në fjalorin juridik ndërkombëtar njihen si “apatrid” apo qytetarë pa shtetësi, raporton INA.

Plotësimi dhe ndryshimet e Ligjit për nënshtetësinë të bëra gjatë vitit 2004 sërish lanë pa zgjidhur të drejtën e shtetësisë për shumë shqiptarë.

Me problemin e shtetësisë ballafaqohen shqiptarët të cilët janë të lindur në Maqedoni dhe jetojnë me dekada të tëra, të cilët edhe përkundër vendqëndrimit të dëshmuar dhe pronësisë e pasurisë në vendin e lindjes, megjithatë refuzohen nga Ministria e Brendshme.

E drejta e shtetësisë nuk u njihet edhe shumë emigrantëve shqiptarë të cilët pas periudhës së shpërbërjes së ish-Jugosllavisë dhe në fillimet e pavarësimit të Maqedonisë janë gjetur jashtë vendit.

Kjo kategori e qytetarëve përbëhet kryesisht nga shqiptarë që për mbi 50 vite e më tepër jetojnë në Maqedoni, por që kanë origjinë nga zonat e tjera shqiptare nga Kosova, Lugina e Preshevës apo ish-republikat e tjera jugosllave.

Një shifër e tillë e përafërt jepet edhe nga ekspertë dhe avokatë që janë marrë me lëndë të tilla, të cilët theksojnë se kjo problematikë po ndjekë dhe ka vënë në hall shumë familje shqiptare, por që tashmë ato janë lënë në harresë totale.

SHPËRNDAJE