Kur lexova dje akuzat tuaja, si klishe bajate ndaj Berishës, me ngjallët keqardhje për mungesën e nivelit profesional. Akuzën se Berisha, qeveria e të cilit ideoi, gjeti financimin, projektoi dhe tenderoi autostradën energjetike Tiranë – Prishtinë, paska dëmtuar Kosovën me vonesa dhe jo Vuçiçi me bllokimin prej një viti të punës së linjës së interkonjeksionit, e mendova si një lajthitje hiperemotive ose nevojë për vëmendje.
Po kaq anakronike gjej dhe etiketimet për njeriun që rrezoi komunizmin në Shqipëri. Por tek lexoj akuzat e sotme për lidhjet e Berishës me Al – Kaedën, si riciklim i hapur i tezave të Sllobodanit kundër Berishës dhe Shqipërisë, më ngjajnë më shumë si detyrime e borxhe ndaj atyre që qëndrojnë pas ose sipër jush.
Më lejoni t’ju them se Berisha është i vetmi udhëheqës shqiptar që ka vizituar dy herë Shtëpinë e Bardhë dhe ka pritur në Shqipëri një president amerikan në detyrë, vizitë gjatë së cilës u artikuluan publikisht futja e Shqipërisë në NATO dhe pavarësia e Kosovës. Por nëse nuk u mjaftojnë këto fakte si përgjigje ndaj propagandës së Beogradit mund t’ju them se përveç dokumenteve zyrtare të ShBA ka disa media kryesore amerikane si Herald Tribune, Wall Street Juornal etj, të atyre viteve dhe më vonë, që i kanë bërë jehonë në mënyrë të përsëritur, kontributit të rëndësishëm të Shqipërisë dhe personalisht të zotit Berisha në luftën dhe operacionet kundër terrorizmit islamik. Kontribut sipas tyre më i madh se sa i çdo vendi tjetër ish komunist në Europë.
Në lidhje me vizitën e ndaluar në Kosovë besoj se e keni dëgjuar fjalën vox populi – vox dei. Besoj se ata që mbushën sheshet kundër ndalimit, e më pas për ta pritur si kryeministër, flasin më qartë e më fort se mizat. Berisha jo vetëm erdhi, por solli rrugë për të bashkuar kombin në një korridor që disa nga miqtë tuaj bënë gjithçka që ta bllokonin kurse të tjerë e quanin rruga e asgjëkundit.
Besoj se e kuptoni që kjo përgjigje nuk është për ju, por për opinionin. Juve ju uroj të çliroheni nga keqpërdorimi dhe detyrimet e atyre që ju financojnë.