Në Raportin më të ri për situatën në Kosovë, Sekretari i OKB-së Ban Ki-moon alarmon se tensionet dhe konfrontimet në terren vazhdojnë të shkaktojnë rrezik real për paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon. Për arrestimet, tensionet, retorikën agresive, ai hedh përgjegjësinë në liderët e Kosovës dhe të Serbisë.

Megjithëse Prishtina dhe Beogradi kanë arritur rezultate në dialogun në Bruksel si dhe progres në agjendat e tyre përkatëse Evropiane, tensionet dhe konfrontimet në terren vazhdojnë të shkaktojnë rrezik real për paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon, thuhet në raportin e Ban Ki-moon.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, ka deklaruar se tensionet dhe përplasjet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur, veçanërisht në dy muajt e fundit.

Në raportin për situatën në Kosovë, për të cilin do të debatohet më 14 maj në Këshillin e Sigurimit, Shefi i OKB-së tërheq vërejtjen se situata është përkeqësuar.

“Megjithëse Prishtina dhe Beogradi kanë arritur rezultate në dialogun në Bruksel si dhe progres në agjendat e tyre përkatëse Evropiane, tensionet dhe konfrontimet në terren vazhdojnë të shkaktojnë rrezik real për paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon”, thuhet në raport, të cilin e ka siguruar Portali KosovaTimes.net nga burime ndërkombëtare në New York.

Sekretari Ban vlerëson se dy zhvillimet më të rëndësishme pozitive që kanë ndodhur gjatë katër muajve të fundit, e që kanë të bëjnë me raportet mes Kosovës dhe Serbisë, janë fillimi i studimit të fizibiltetit për Kosovën nga ana e Komisionit Evropian dhe kandidatura e Serbisë për anëtarësim në BE.

Ai thotë se një prej çështjeve kryesore që ka nxitur tensione mes dy vendeve janë qëndrimet e kundërta lidhur me zgjedhjet serbe. Sekretari i Përgjithshëm ka bërë me dije se përfaqësuesi i tij në Kosovë, Shefi i UNMIK-ut, Farid Zarif e ka njoftuar Beogradin se nuk mund të mbajë zgjedhje lokale në Kosovë dhe me këtë Qeveria e Serbisë është pajtuar. Mirëpo, në raport gjithashtu thuhet se për zgjedhjet lokale, UNMIK-u dhe Serbia do të bisedojnë sërish gjatë këtij viti.

Meqenëse raporti mbulon ngjarjet që kanë ndodhur prej 16 janarit e deri më 15 prill, në raport nuk përmendet se palët janë pajtuar që OSBE do t’u mundësojë serbëve të votojnë për parlamentin dhe presidentin e Serbisë, por jo edhe në zgjedhjet lokale.

Sekretari i Përgjithshëm ka përfshirë në raport një varg veprimesh të Qeverisë së Kosovës dhe të Qeverisë së Serbisë të cilat sipas tij kanë shtuar tensionet. Ai shkruan se ka ndodhur një seri e arrestimeve hakmarrëse nga policia e Kosovës dhe policia e Serbisë.

Sekretari i OKB-së përmend një nga një arrestimet nga autoritetet e Kosovës dhe ato të Serbisë, të cilat sipas tij janë përcjellë me retorikë nxitëse të tensioneve nga të dyja palët.

“Më 25 shkurt policia e Kosovës arrestoi gjashtë punëtorë të Ministrisë serbe të Punëve të Brendshme, me akuza politike. Më 8 mars, dy serbë të Kosovës, punëtorë të PTK-së së Serbisë, janë arrestuar nga policia e Kosovës për shkak se transportonin fatura dhe dokumente bankare. Më 12 mars, dy serbë tjerë, punëtorë të PTK-së, u arrestuan, ndërkaq më 27 mars, katër serbë të Kosovës janë arrestuar sepse po transportonin material për zgjedhjet serbe. Një ditë më vonë, një punëtor tjetër i PTK-së së Serbisë u arrestua sepse kishte me vete pagesa për pensionistë në Kosovë. Atij i janë konfiskuar paratë e pensioneve”, thuhet në raport.

Kreu i Kombeve të Bashkuara ka shkruar se pas këtyre arrestimeve nga policia e Kosovës, zyrtarët e Beogradit reaguan me arrestime dhe këto veprime i cilësuan si reciprocitet. Më 28 mars, Policia e Serbisë arrestoi shefin e sindikatës së Metalistëve, Hasan Abazi, “kinse për spiunazh në favor të NATO-s, gjatë luftës në Kosovë”, thuhet në raport.

“Më 31 mars, xhandarmeria serbe arrestoi dy oficerë të policisë së Kosovës dhe i akuzoi ata për posedim të paautorizuar të armëve, në rrethana dhe lokacion që është ende nën hetime nga KFOR-i. Dy policët e Kosovës janë liruar dhe i janë dorëzuar EULEX-it”, thuhet në paragrafin 7 të raportit.

Ban Ki-moon nuk ka raportuar se arrestimi i policëve nga institucionet kosovare është cilësuar si rrëmbim brenda territorit të Kosovës.

Situata në Veri të Kosovës vlerësohet “si jashtëzakonisht e ndjeshme ndaj çfarëdo zhvillimi politik mes Prishtinës dhe Beogradit”.

Sekretari i Përgjithshëm ka njoftuar anëtarët e Këshillit të Sigurimit se rreziku për incidente më të rënda është gjithmonë i pranishëm. Për arrestimet, tensionet, retorikën agresive, ai hedh përgjegjësinë në liderët e Kosovës dhe të Serbisë. Ai kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që të ndikojnë në uljen e tensioneve. Sekretari Ban shpreson se edhe anëtarët e Këshillit të Sigurimit do t’ua përcjellin këtë porosi, në mënyrë edhe më të sforcuar, liderëve të Kosovës dhe atyre të Serbisë.

Në raport përmendet shpërthimi në Lagjen e Boshnjakëve ku humbi jetën Selver Haradinaj, por nuk thuhet se institucionet e Kosovës dhe partitë politike e cilësuan këtë sulm akt terrorist.

“Në orët e hershme të mëngjesit, më 8 prill, një shpërthim dëmtoi një banesë përdhese duke vrarë një shqiptar 38-vjeç si dhe lëndoi dy nga katër fëmijët e tij. Gruaja e tij shpëtoi e palënduar. Më vonë, në të njëjtën ditë, tre të rinj shqiptarë sulmuan një serb 66-vjeç i cili i hospitalizua për shkak të lëndimeve të rënda në gjoks dhe kokë. Policia e Kosovës reagoi duke provuar të vendosë një pikë të përhershme kontrolli, por qytetarë serbë të Kosovës rezistuan fizikisht ndaj këtij veprimi”, thuhet në raport.

Anëtarëve të Këshillit të Sigurimit u është dorëzuar edhe raporti për aktivitetin e EULEX-it, që është aneks i raportit të Kreut të OKB-së./ Nga Expressi

SHPËRNDAJE