Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka qenë i pranishëm në komunën e Shënkollit në Lezhë, për të inauguruar përfundimin e segmentit rrugor Lezhë-SMT-Shënkoll, një aks mjaft i rëndësishëm që lidh 20 mijë banorë të këtyre zonave dhe të jetë mbështetje edhe për zonën turistike të Tales.

Gjatë fjalës së tij kreu i qeverisë shqiptare ka bërë të ditur se rruga e inauguruar është dëshmia më e qartë e angazhimit të qeverisë për një Shqipëri evropiane. Sipas kreyministrit Berisha, Shqipëria një vend i zhvilluar do të jetë realitet deri në vitin 2017, kjo pasi vendi ynë renditet në vendet më të ardhura për frymë gjithnjë në rritje.

Berisha ka shtuar se Shqipëria ka mundësinë që të konsiderohet një Zvicër me det përsa i përket rritjes ekonomike, ndërsa është mjaft me rëndësi edhe sektori i energjisë elektrike, ku synohet që vendi ynë të bëhet një superfuqi energjetike.

Turizmi zë një vend të rëndësishëm dhe mjaft të pëlqyeshëm, për të cilën tashmë janë shprehur edhe organizma të ndryshëm europiane dhe ndërkombëtare. Për kreun e qeverisë shqiptare, vendi ynë ka resurse të mëdha që presin për t’u shfrytëzuar. Bujqësia do të ketë një vëmendje të rëndësishme nga qeveria shqiptare, ka deklaruar në fjalën e tij kryeministri Berisha, ku vaditja do të jetë kryefjala. Megjithëse sipërfaqja e takave bujqësore e vendit tonë është më e pakta e krahasuar me vendet europiane, produktet e saj janë tepër cilësore, ndaj do t’i japin rëndësi edhe këtij sektori.

Segmenti rrugor i inauguruar në Shënkollë të Lezhës me një gjatësi prej 8.1 km është financuar nga Bashkimi Evropian me një vlerë prej 1.8 milion euro. Përfundimi i këtij segmenti ka hapur fazën e dytë të këtij projekti me vlerë 1.2 milion euro dhe do të lidhë Shënkollin me Talen dhe do të shtrihet deri në plazh me një gjatësi 10.2 km.

SHPËRNDAJE