Dialogu teknik mes Kosovës dhe Serbisë ishte në qendër të takimit në Tiranë mes kryeministrit Sali Berisha dhe udhëheqëses së delegacionit të Kosovës për bisedime me Serbinë në Bruksel, Edita Tahiri. Zëvendëskryeministrja e Kosovës Edita Tahiri e informoi kryeministrin Berisha mbi zhvillimin e bisedimeve dhe qëndrimin e delegacionit kosovar në këto bisedime.

Kryeministri Berisha vlerësoi paraqitjen shumë të mirë të delegacionit kosovar në këto bisedime, të cilat sikundër tha kryeministri do të sjellin një kontribut të rëndësishëm në jetën e përditshme të qytetarëve të dy vendeve, por edhe në forcimin e bashkëpunimit midis këtyre dy vendeve dhe atij rajonal.

Kryeministri dhe zonja Tahiri rikonfirmuan qëndrimin e prerë dhe të palëkundur se “këto janë vetëm bisedime teknike që kanë të bëjnë me çështje të jetesës së përditshme së qytetarëve të Kosovës e Serbisë, si dy vende të pavarura e sovrane”.

Sipas tyre në dialogun teknik mes palëve nuk bëhet fjalë, në asnjë rast, për çështje që kanë të bëjnë me sovranitetin apo ndryshimin e kufijve.

Në këtë kontekst u theksua se “ekzistojnë shumë Mitrovica në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe çdo lloj aludimi apo ideje për rikonfigurimin e kufijve ndërkombëtarë nuk i shërben stabilitetit, sigurisë dhe paqes në rajon”.

Shefi i qeverisë dhe udhëheqësja e delegacionit kosovar Edita Tahiri shprehën mirënjohjen për SHBA-të dhe BE-së, për mbështetjen që po i japin këtyre bisedimeve teknike.

Ata vlerësuan faktin që sot Kosova është jo vetëm një ndër vendet më të sigurta, me treguesit ndër më të ulët të kriminalitetit në rajon dhe në Evropë, por është shndërruar qartësisht, në një faktor të rëndësishëm paqeje, stabiliteti, sigurie dhe promovimi të bashkëpunimit dhe të miqësisë në rajon.

Gjatë këtij takimi, Zëvendëskryeministrja Tahiri shfrytëzoi rastin për të vlerësuar kontributin e jashtëzakonshëm të Kryeministrit Berisha, në mbështetje të çështjes kombëtare dhe në veçanti në mbështetje të shtetit më të ri të Evropës, të Republikës së Kosovës, për sa i përket njohjes ndërkombëtare të saj.

Ajo vlerësoi edhe mbështetjen që Shqipëria i jep Kosovës sa i përket konsolidimit të vendit dhe rolit të saj, si në forumet e bashkëpunimit rajonal, ashtu edhe në aspiratat e Kosovës për integrimin euroatlantik.

SHPËRNDAJE