Haxhi Krasniqi, kampioni i Evropës në versionin WBO, po viziton Kosovën. Ai ka thënë se çdo sukses që arrin u takon edhe bashkëkombësve të tij. Boksieri junikas shpreson që në një të ardhme të afërt do të vjen sërish në vendlindje, por si kampion botëror, të cilin titull nuk ka arritur ta rrëmbejë Luan Krasniqi. 24 vjeçari dëshiron që meçin e radhës ta zhvillojë në Kosovë.
Vetëm disa ditë pasi fitoi titullin e kampionit të Evropës në versionin WBO, boksieri kosovar me nënshtetësi gjermane, Haxhi Krasniqi ka ardhur në vendlindje për t’ua dedikuar të gjithë shqiptarëve brezin e artë të cilin e fitoi para pak javësh në duel me francezin me prejardhje nga Algjeria, Abdelkahim Bergal, njofton gazeta “Express”
Ndërsa junikasi ka paralajmëruar se nuk do të ndalet me kaq. 24 vjeçari mbetet me shpresë që vizitën e ardhshme Kosovës do t’ia bëjë në një të ardhme jo të largët si kampion botëror.
“Falënderoj të gjithë për përkrahjen. Ky është vetëm titulli i parë që po e sjell në Kosovë. Këtu në Kosovë dëshiroj ta sjell edhe titullin e botës”, ka deklaruar Krasniqi i cili aspiron ta fitojë atë që nuk ka arritur ta rrëmbejë boksieri i famshëm kosovar, Luan Krasniqi – titullin e kampionit të botës.
“Luan Krasniqi për fat të keq nuk arriti ta bëjë një gjë të tillë, por unë besojë në kualitetet e mia dhe do ta fitoj edhe titullin e botës”, ka theksuar kampioni evropian.
Por, para se t’ia mësyjë titullit të kampionit botëror, Krasniqi paraprakisht duhet ta mbrojë titullin e kampionit evropian, të cilin e rrëmbeu më 21 tetor. Ai ka pohuar se gjasat janë reale që më 7 janar të vitit që po vjen të ngjitet në ring për ta mbrojtur titullin e kampionit evropian. Madje, Krasniqi ka pohuar se me shumë dëshirë këtë sfidë do ta kryente në vendlindje.
“Me dëshirë të madhe do të boksoja në Kosovë dhe në mendje e kam këtë, por kjo gjë është në duart e menaxherit tim. Do të ishte kënaqësi të boksoja para publikut shqiptar. Më 7 janar ka gjasa të mbroj titullin e Evropës. Ende nuk e di se kush do të jetë kundërshtari im, por unë do të përgatitem maksimalisht”, ka pohuar Krasniqi i cili deri më tani i ka fituar 36 duele prej 38 sosh, derisa dy herë ka pësuar humbje.
“Hapat e parë kanë qenë shumë të ngadalshëm, por me punë të madhe kam arritur këtu ku jam sot. Çdo fitore që e arrij, mendoj se i takon edhe Kosovës”, nënvizoi junikasi.
Të martën Krasniqit iu bë një pritje nga drejtuesit e Federatës së Boksit të Kosovës (FBOXK), krerë të Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK) dhe e të Departamentit të Sportit.
“Si Federatë mundohemi vazhdimisht t’i nderojmë personalitetet e shquara sportive e kombëtare dhe njëherësh ia dhurojmë edhe një plaket në shenjë respekti të veçantë”, ka thënë pos tjerash kryetari i FBOXK-së, Ramadan Selimi.