Në serinë e librave të panumërta që shkruhen kudo për Ibrahim Rugovën, libri i publicistit dhe shkrimtarit, Engjëll Koliqi, i titulluar “Ibrahim Rugova-Arkitekt i Dardanisë së re-Republikës së Kosovës”, vjen si një dëshmi e fuqishme, se fryma e Presidentit Rugova, e mbi të gjitha misioni i tij, është i ngulitur thellësisht dhe qartësisht, në themelet e shtetit të Kosovës, gjurmët e së cilës po përjetësohen edhe nëpërmes këtij libri. Shkrimtari me përmasa planetare, Ismail Kadare, në librin e tij “Mosmarrëveshja, mbi raportet e Shqipërisë me vetveten” ndër të tjera shkruan: “Gjergj Kastrioti i duhet Shqipërisë, jo si luks, por si gur i themelit. Koha e kishte treguar se pa Shqipërinë ai jetonte, kurse Shqipëria s’bënte dot pa të”. Duke shikuar, analizuar dhe studiuar realitetin tonë në Kosovë, në momente dramatike, kur ndjehet ankthshëm mungesa e Rugovës, mund të pohojmë pa hamendje se Kosova nuk mundet pa Rugovën, autorin e Kosovës evropiane, autorin e Kosovës perëndimore dhe autorin e Kosovës moderne. Në këtë kontekst, ky libër, me tekstet e shumta që ofron, të karakterit të shumëfishtë, kulturor, publicistik, letrar e studimor, shërben si një referencë plotësuese, në dokumentimin e jetës, veprimtarisë dhe personalitetit shumëdimensional të Presidentit Rugova. Mbi të gjitha, ky libër, shërben si një referencë e rëndësishme, për të kuptuar se Rugova dhe filozofia e tij shtetformuese, na duhet si një gur i themelit, mbi të cilin mund të ndërtohet sigurt shteti i Kosovës. Në këtë mënyrë, e ka konceptuar misionin, portretin dhe figurën gjigante të Rugovës, edhe autori i këtij libri, Engjëll Koliqi, i cili ka bë një punë të madhe dhe aspak të lehtë, në grumbullimin, selektimin e teksteve, vlerësimeve, dëshmimeve, analizave, poezive dhe përshtypjeve të shumta që janë bë rreth figurës së Rugovës. Autori, përveç vlerësimeve personale, merr mendime relevante, përcjell mediat e huaja dhe shqiptare dhe kështu jep një material të larmishëm, i cili ndihmon në njohjen, pranimin dhe vlerësimin sa më në plotëni të autorit të shtetit modern të Kosovës, Ibrahim Rugovës.Libri i autorit Engjëll Koliqit, sjell në tryezën e madhe të botimeve të shumta, dëshmi të panumërta për rolin gjigant që ka patur dhe ka Rugova për Kosovën. Në këtë mënyrë, ky libër, vetëm sa sforcon edhe më tutje bindjen se shkëndijat rrëzëlluese që la vepra e tij, po rrezatojnë fuqishëm në dheun e tij Dardan, për të cilin punoj me mjeshtëri, urtësi dhe përkushtim.
Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, iku, në një janar të akullt, në një janar që i ngrinte lotët e shumtë që vërshonin rrugëve të Prishtinës dhe kudo kishte shqiptar”.
Edhe ky libër i Engjëll Koliqit, është një dëshmi në serinë e dëshmimeve të panumërta, se kjo është një e vërtetë e pa mohueshme.
Çfarë i karakterizon vlerësimet e autorit, ashtu sikurse edhe vlerësimet e shumë emrave të njohur e më pak të njohur në librin në fjalë?
Në një rrugëtim të gjatë, Ibrahim Rugova u nis tamam si prijës, misionar e profetë. Ai diti mrekullisht t’i lidh hallkat e shkëputura të kujtesës historike, të cilat i lidhi fuqishëm brenda një indi të përbashkët të përkatësisë europiane. Kështu, ai mbetet Hero, ashtu siç njihen në historinë e njerëzimit heronjtë e mëdhenj. Ai ishte dhe mbetet i tillë, sepse, ashtu siç e shohim në edhe në këtë libër, politikës i dha shpirt artistik, angazhimeve kombëtare ju dha dimensione universale, ndërkaq kauzës shqiptare ja vuri vulën e proviniencës oksidentale. Me këto tiapre, ai mbetet i papërsëritshëm, sepse heronjtë janë Një, dhe vetëm si të këtillë kanë kuptim. Andaj, civilizimi ynë s’do te kishte kuptimin që ka, po t’i kishte dy Dante Aligera, dy Xhorxh Uashingtona, dy Gjergj Kastriota, dy Pjeter Bogdana, dy Shekspira, dy Nene Tereza, dy Papa Gjon Pali II dhe pa mëdyshje, dy Ibrahim Rugova. Këta në histori mbesin të vetëm, pa shëmbëlltyra.
Ibrahim Rugova ishte i pathyeshëm në qëndrimet e tij, i pa ekuivokë në orientimet e tij, gjë të cilën e dëshmon edhe ky libër. Ai diti mrekullisht t’i krijoi aleancat me botën e qytetëruar. Prandaj, tani kur Kosova rrezikon të merr kahe tjetër, nëpërmjet aleancave të panatyrshme dhe kur po synohet trondit ideja e një shteti mbi themelet oksidentale, ky libër mund të ndihmoj dhe shërbej, sepse, duke u ndriçua shumë të dhëna mbi rrjedhat politike në Kosovë dhe angazhimin gjigant të Presidentit Rugova, ne, në të njëjtën kohë na sforcohet kujtesa. Dhe duke na u sforcua kujtesa, ne i përgatitim armët e saj, si e vetmja mundësi me e mbrojt shtetin modern të Kosovës nga kanosjet e ndryshme.
“Kujtesa duhet të ushtrohet që të mund të funksionoj siç duhet”, thotë shkrimtari Milan Kundera. Dhe Engjëll Koliqi bën një punë të mirë, duke i ndihmua kështu lexuesit shqiptar, ta sforcoj kujtesën. Shkrimtari dhe publicistik Engjëll Koliqi, me punën e madhe, në mënyrë eksplicite e kërkon një gjë të tillë, duke i ofruar lexuesit portretin e njeriut që krijoi shtetin e Kosovës. Duke u takuar me veprën e Rugovës, lexuesi shqiptar kupton më mirë të tashmen dhe e më lehtë e projektojnë të ardhmen-bs