Preshevë, 29 qershor -Në cilësinë e kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar, kam ngritur padi ndaj Ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Serbisë, Aleksandër Vulin, për vërtetimin e qasjes diskriminuese dhe përdorimin e gjuhës së urrejtjes ndaj shqiptarëve, njofton agjencia e lajmeve “Presheva jonë”
Përdorimi i termit pezhorativ dhe ofendues “Šiptar” nga Ministri Vulin është institucionalizim i gjuhës së urrejtjes ndaj shqiptarëve dhe nxitje e shqiptarofobisë në Serbi.
“Këshilli Kombëtar Shqiptar nuk e pranon reduktimin dhe relativizimin e kësaj praktike si shprehje dhe veprim individual. Gjuha e tillë e një ministri nuk është vetëm produkt i sistemit aktual në Serbi, por edhe nxitje institucionale e diskursit në rritje ksenofob kundër minoriteteve…” ka thënë z.Mustafa për agjencine e lajmeve “Presheva Jonë”
Asgjë më shumë nuk e reflekton më mirë mendësinë politike të Vulinit se vetë fakti që ai e konsideron si kompliment ngritjen e padisë. E mjerueshme përpjekja e tij primitive për të mbijetuar politikisht dhe për të fituar ndonjë votë “patriotike” me antishqiptarizëm. Nuk duket as kopje e mirë e Millosheviqit.
Fundja, nuk mund t’i ndihmojmë në mediokritetin e tij arsimor, edukativ dhe kulturor. Mbase edhe është vonë tashmë për atë.
Por, më e rëndësishme është se kjo mendësi flet mbi gjithash për Qeverinë e sotme të Serbisë. Flet për Serbinë shtetërore.
Në një qeveri dhe shtet demokratik, çdo ministër që i fyen vazhdimisht në publik minoritetet, së paku do të shkarkohej. Në Serbinë e sotme, ai glorifikohet. Si në Gjermaninë e vitit ’39. Po fatmirësisht, Serbia nuk është Gjermania e viteve 1939. E Vulini nuk është Wilhelm Keitel. Si ka kapacitetet as me qenë kopje e tij e keqe.
Sidoqoftë, respektimi i minoriteteve është edhe detyrim ligjor dhe kushtetues i Qeverisë së Republikës së Serbisë. Respektimi dhe pranimi i tjetrit është parakusht i një shoqërie demokratike.
Shqiptarët nuk kanë faj pse Qeveria e Serbisë nuk ka kapacitete demokratike. Nuk ndjehen të poshtëruar, meqë asgjë nuk e poshtëron më shumë Serbinë se Vulinat si përfaqësues të saj. Madje, kjo mendësi e tij e dëmton së pari dhe mbi gjithash Serbinë.
Aty edhe i kanë arsyet pse nuk pranohen me të drejtë në Bashkimin Evropian. Pse shqiptarët nuk e ndjejnë me të drejtë Serbinë si shtet të tyre. Adresa është në Beograd. Në Qeverinë e Serbisë. Në gjykatat e Serbisë. Në profilet e Aleksandër Vulinit.