KUMTESE PER PRESS:
Kryesia e Lëvizjes së Progresit Demokratik, në mbledhjen e mbajtur më 30.06.2011, ka shqyrtuar gjendjen politike dhe të sigurisë si dhe situatën e krijuar pas bllokimit të deponisë së mbeturinave në Komunën e Bujanocit.
Në këtë mbledhje kryesia e LPD-së doli me qëndrim se ajo angazhohet për një komunë multietnike dhe është kundër çdo ndarje mbi vija etnike.
Duke pasur parasysh pasojat ekologjike si dhe rrezikun e shfaqjes së ndonjë epidemie, por edhe reflektimet politike, kryesia e LPD-së kërkon që urgjentisht të bëhet debllokomi i deponisë.
Në këtë mbledhje kryesia e LPD-së shqyrtoi edhe punën e Qeverisë dhe Trupit Koordinues lidhur me Komunën e Bujanocit dhe të Luginës së Preshevës.
Kryesia e LPD-së vlerësoi se Trupi Koordinues nuk është duke e kryer rolin për të cilin është krijuar:
– Në vend se të rritet numri i të punësuarëve shqiptarë në dogana, polici, drejtoria e tatimeve dhe institucionet e tjera shtetërore, që veprojnë në Luginë, ndodh e kundërta, shumica absolute e të punësuarëve janë serbë;
– Moszgjidhja e çështjes së arsimit të lartë përfshirë edhe nostrifikimin e diplomave nga Universiteti i Prishtinës;
– Mosnjohja e të gjitha dokumentacioneve që lëshohen nga institucionet e Kosovës;
– Mosangazhimi për investime në Komunën e Bujanocit dhe më gjerë;
– Moskrijimi i kushteve për kthimin e të të zhvendosurve;
– Mospërfillja e kërkesave të shqiptarëve për demilitarizimin e rajonit;
– Arrestimet e vazhdueshme të ish pjesëtarëve të UÇPMB-së edhe pse është shpallur amnestimi i tyre;
– Mosaktiviteti i grupeve punuese të formuara në kuadër të Trupit Koordinues.
Duke pasur parasysh se Qeveria dhe Trupi Koordinues, nuk janë angazhuar për zgjidhjen e këtyre problemeve, kryesia e LPD-së, merr qëndrim që të largohet nga Trupi Koordinues.
LPD angazhohet për stabilitet dhe prosperitet të Komunës së Bujanocit dhe rajonit.
NGA KRYESIA E LPD-së
Jonuz Musliu – kryetar
Lëvizja e Progresit Demokratik
Rr. e Kosovës, nr.54
17520 Bujanoc
Data: 01.07.2011