Kapiteni legjendar i Kombëtares së Shqipërisë, Lorik Cana ka bërë me dije se vendimi i lojtarëve të Kosovës për ta braktisur ndeshjen ndaj Rumanisë në minutat shtesë nuk ishte më i duhuri.

Në një intervistë për “KosovaPress”, ish-mbrojtësi “kuq e zi” ka thënë se i ka pëlqyer forca e përbashkët e skuadrës në atë ndeshje si dhe respektimi i vendimit të kapitenit Amir Rrahamani, por ka vënë në pikëpyetje nëse një vendim i tillë do të merrej sikur Kosova të ishte duke fituar në ato momente.

“Mua më pyesin shumë për këtë punë. Nuk besoj se diçka është bërë me dëshirë, me qëllim të keq apo në ndonjë mënyrë të keqe. Kur mua ma bëjnë këtë pyetje, unë ua bëjë një pyetje tjetër shumë të thjeshtë. Nëse ne do të ishim 1-0 duke e fituar atë lojë, a do ta kishim lënë? Merre vet përgjigen, të kishim qenë ne duke fituar 1-0 në minutën ‘93, a do ta kishim lënë lojën? Shumica e njerëzve më thonë: ‘Jo nuk do ta linim’ dhe e kemi përgjigen”, ka thënë Cana.

Ai shtoi se pamja në fushë ku e gjithë skuadra mbështeti vendimin e kapitenit Amir Rrahmani e bëri të ndjehej jashtëzakonisht mirë.

Cana thekson gjithashtu me bindje të plotë se Kosova nuk e ka vendin në Ligën C, por së paku një rang më lartë, në Ligën B.

Në ndeshjen që u zhvillua në Bukuresht, në kuadër të Liges së Kombeve, lojtarët e Kosovës u larguan nga fusha në minutën e 92-të pas thirrjeve raciste nga tifozët rumunë.

Ditë më parë, shtëpia evropiane e futbollit – UEFA mori vendim që ndeshja e ndërperë ndërmjet Kosovës dhe Rumanisë t’i takojë rumunëve me rezultat zyrtar 3-0.

Kosova në play off për të kaluar në Ligën B, do të ballafaqohet me Islandën në dy ndeshje që do të zhvillohen në muajin mars të vitit të ardhshëm.

SHPËRNDAJE