Në mbrëmjen e djeshme u mbajt “Darka e Bizneseve,” një ngjarje që shërbeu si platformë e rëndësishme për të adresuar sfidat dhe mundësitë e ekonomisë kombëtare. Në këtë event mori pjesë edhe z. Naser Sherifi, kandidat për deputet nga radhët e “Lista për Familjen,” i cili foli në cilësinë e Koordinatorit të Përgjithshëm të AKB për Evropë.

Ngjarja, e organizuar nga Aleanca Kosovare e Biznesit (AKB), mblodhi ndërmarrës, liderë të sektorit privat dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore për të diskutuar hapat që duhen ndërmarrë për të fuqizuar ekonominë e vendit. Fjalimet kryesore u mbajtën nga figura të njohura si z. Agim Shahini, z. Avdullah Hoti dhe z. Besnik Tahiri, të cilët theksuan rëndësinë e prodhimit vendor dhe domosdoshmërinë e ndërtimit të politikave fiskale që mbështesin ndërmarrësinë.

Z. Sherifi u shpreh i impresionuar nga fryma e bashkëpunimit që dominonte gjatë diskutimeve dhe vizioni për një Kosovë më të fuqishme ekonomikisht. Ai theksoi se dialogu i hapur mes sektorit publik dhe privat është kyç për t’i dhënë zgjidhje sfidave që përballen bizneset në Kosovë.

“Jam mirënjohës për mundësinë që pata për të ndarë këtë eksperiencë me ndërmarrës dhe liderë vizionarë që po kontribuojnë në zhvillimin e Kosovës. Besoj fuqishëm se viti 2025 mund të jetë një vit i progresit të qëndrueshëm për të gjithë,” deklaroi Sherifi.

Ngjarja shënoi edhe një pikë të rëndësishme për zhvillimin e partneriteteve të reja dhe përforcimin e lidhjeve mes qeverisë dhe komunitetit të biznesit. Fryma e bashkëpunimit dhe vizioni i përbashkët u cilësuan si faktorë kyç për përparimin ekonomik të vendit.

#EkonomiaKombëtare #ProdhimiVendor #ListaPerFamiljen

SHPËRNDAJE