Pavarësisht pritjeve të mëdha që ishin krijuar rreth Samitit të Zagrebit sa i përket liberalizimit të vizave dhe çështjes së dialogut Kosovë – Serbi, deklarata përfundimtare e nxjerrë nga pjesëmarrësit s’thotë gati asgjë për këto dy çështje.

Çështja e liberalizimit të vizave në deklaratën përfundimtare të këtij Samiti të organizuar nga BE-ja nuk është përmendur fare, edhe përkundër faktit se Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet prej vitesh.

Derisa një fjali e vetme i është kushtuar çështjes së dialogut Kosovë – Serbi.

Në deklaratën përfundimtare të Samitit të Zagrebit edhe sa i përket kësaj çështjeje nuk është thënë asgjë relevante, vetëm është përshëndetur emërimi i Miroslav Lajçakut si Përfaqësues Special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi dhe për çështje tjera në Ballkanin Perëndimor.

“Mirëpresim emërimin së fundmi të Përfaqësuesit Special të BE-së për Dialogun Prishtinë-Beograd dhe për çështjet e tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor”, është fjalia e vetme në deklaratë në të cilën përmendet në mënyrë specifike çështja e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.

Rreth Samitit të Zagrebit ka folur edhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq. Ai ka treguar se kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka qenë e vetmja prej shteteve anëtare e cila shumicën e fjalimit të saj në Samitin e Zagrebit ia ka kushtuar problemit të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.

Kosovën në këtë Samit e ka përfaqësuar presidenti Hashim Thaçi, i cili ishte shprehur i lumtur që Kroacia kishte vendosur të organizonte një takim të tillë edhe përkundër situatës së krijuar nga pandemia COVID-19.

Thaçi edhe para mbajtjes së Samitit kishte shprehur pritshmëritë e tij sa i përket një vendimmarrjeje për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe një kërkesë të tillë e ka përmendur edhe në diskutimin e tij në Samit.

Megjithatë, një çështje e tillë s’është përmendur fare në deklaratën përfundimtare të Samitit.

SHPËRNDAJE