27 maj, 2023 – Menaxheri i lartë i programit HatTrick në UEFA, Denis Bastari, ka vizituar sot Federatën e Futbollit të Kosovës, ku u prit nga presidenti Agim Ademi. Ai pati mundësinë të shohë nga afër projektet që FFK do t’i paraqesë për miratim në programin HetTrick, me theks të veçantë projektin e stadiumit të ri të kryeqytetit, për të cilin ditë më parë kreu i FFK-së dhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama u dakorduan për fillimin e ndërtimit të tij. Presidenti Ademi e njoftoi zyrtarin e UEFA-s në detaje rreth këtij projekti dhe theksoi se ky stadium, parasegjithash do të shërbejë për ndeshjet e ekipeve kombëtare, por do të jetë në dispozicion edhe për nevojat e tjera të futbollit në Kosovë. FFK do të participojë në ndërtimin e këtij stadiumi përmes programit HetTrick të UEFA-së. Bastari e vlerësoi punën e FFK-së dhe projektet e parapara për t’u realizuar, derisa nga afër u njoftua edhe me punët e kryera në Shtëpinë e Futbollit si dhe në Kampin Nacional në Hajvali. Presidenti Ademi shprehu mirënjohjen e tij dhe të komunitetit të futbollit në vend për UEFA-në, e cila në vazhdimësi e ka mbështetur zhvillimin e futbollit kosovar, sidomos në aspektin e infrastrukturës. Ai, njëherësh shprehu përkushtimin e tij të plotë për të vazhduar punën në krijimin e kushteve sa më të mira për të gjithë ata që e zhvillojnë aktivitetin e tyre të futbollit në vend.

SHPËRNDAJE