Kanë kaluar thuajse dy javë që kur Hashim Thaçi është zgjedhur në postin e presidentit, dhe atë thuajse nuk e ka uruar askush. Janë tre apo katër president, si ai i Shqipërisë, Turqisë dhe Francës që e kanë uruar, derisa askush nga homologët tjerë nuk e ka marrë mundin që Thaçit t’ia uroj detyrën e re. Ne fakt sipas “Presheva jone” Thaci nuk este bash pa asnje urim, vec Kallashit edhe Franca, kjo e fundit dihet pse …
Në anën tjetër, analistët politik konsiderojnë se janë një numër arsyesh pse presidentetët e vendeve të ndryshme, po hezitojnë ta urojnë Hashim Thaçin.
Imer Mushkolaj ka thënë se një nga arsyet se përse Thaçin s’po e uron askush, ka të bëjë me lakimin e emrit të tij, si një ndër të akuzuarit e mundshëm.
“Mund të ndodhë që Hashim Thaçit t’i vijnë urimet pasi ta marrë postin e presidentit, ndonëse kjo është pak e besueshme”, ka thënë Mushkolaj.
Sipas tij, lakimi i emrit të tij si një ndër të akuzuarit e mundshëm nga Gjykata Speciale ndikon në qasjen ndaj tij nga ana e liderëve të huaj shtetërorë, qoftë edhe duke mos i dërguar urime për postin e ri.
“Kur ta marrë detyrën si president, Kosova do të vuajë barrën e të qenit një shtet që udhëhiqet nga një person i përfolur për krime të pretenduara, edhe nëse Gjykata… nuk ngre aktakuzë. Ose, së paku, nga një person që erdhi në postin e të parit të vendit një situatë të jashtëzakonshme, mes presionit ndaj deputetëve për ta votuar dhe brohoritjeve e molotovit kundër zgjedhjes së tij”, ka thënë Mushkolaj.
Në anën tjetër, njohësi i zhvillimeve politike në vend, Agon Maliqi numëron disa arsye pse presidentët e ndryshëm, po hezitojnë ta urojnë homologun e tyre të porsazgjedhur, presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.
“Synimi i luftës speciale të Serbisë, dhe arsyeja përse u përdorë Dick Marty për ta lansuar atë rrëfimin hollivudian që bazohej ne lidhje absurde faktesh dhe sajesash, ka qenë pikërisht izolimi ndërkombëtar i zotit Thaçi, e me këtë i Kosovës”, ka thënë Maliqi.
Sipas tij, raporti e mban vulën e Këshillit të Evropës, prandaj edhe është e vështirë për shumë prej diplomatëve dhe politikanëve perëndimorë që ta urojnë zotin Thaçi.
“Ata ose i besojnë rrëfimit të raportit për shkak se ai buron nga institucion kredibil; ose kanë të dhëna të shërbimeve të inteligjencës që ne nuk i dimë; ose thjesht si politikanë me karriera po tregohen të kujdesshme dhe kanë frikë mos dikush në betejat e brendshme i akuzon se po e urojnë dikë që në arenën ndërkombëtare tashmë e ka fituar stigmen e rëndë si “trafikant organesh”, thotë ai.
Prandaj, shton Maliqi. edhe duhet shpejtuar themelimin e Gjykatës Speciale, në mënyrë që të sqarohet e vërteta, të pastrohemi edhe ne prej atyre që kanë bërë krime ndaj civilëve (dhe të tillë ka pasur), dhe ta heqim përfundimisht këtë njollë nga supet, kushdo qofshin të akuzuarit.