Prof.Dr. Shefqet KRASNIQI
Përfshirja e qeverisë së Kosovës në vërejtjet për diskriminim në baza fetare na habitë edhe më shumë kur dihet fakti se për këtë çështje ka pasur edhe protesta disa herë dhe ato janë përcjellë dhe shfaqur në media të ndryshme botërore.
Me gjithë tolerancën që hasim gjithandej nëpër vendet evropiane, me gjithë demokracinë dhe garantimin e lirisë së të shprehurit si dhe mbrojtjen e të drejtave kombëtare dhe fetare, me gjithë thirrjet e shumta të organizatave të ndryshme qeveritare dhe joqeveritare, duke përfshirë këtu edhe OKB-në, për të krijuar një klimë tolerance dhe për të demonstruar një respekt të ndërsjellë ndërmjet komuniteteve etnike dhe fetare, me gjithë këto, prapë, diskriminimi ndaj myslimanëve nuk di të ndalur. Thuajse demokracia dhe këto vlera nuk nënkuptojnë edhe myslimanët. Ato, siç demonstrohen praktikisht, janë ekskluzive vetëm për perëndimorët.
Kjo gjendje, me tërë këtë kapacitet mjerimi që ka, prapë nuk është për dëshpërim. E them kështu duke patur parasysh se Allahu i Madhëruar cakton shkaqe që e vërteta për Islamin dhe myslimanët, pavarësisht inatit dhe mërisë, urrejtjes dhe smirës së jomyslimanëve, të del në shesh pikërisht nga jomyslimanët, ata që të paktën nuk janë zhveshur nga njerëzia dhe humanizmi si shumë bashkëkombës të tyre (jomyslimanë.) Jo rrallë dëgjojmë zëra kundër këtij diskriminimi dhe këtyre padrejtësive, qoftë nga figura me ndikim, qoftë edhe nga institucione dhe organizata. Para pak ditësh, Organizata për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, Amnesty International, me seli në Londër, publikoi një raport rreth diskriminimit dhe shkeljes së të drejtave të muslimanëve në disa vende evropiane, duke filluar nga e drejta fetare e deri tek të drejtat tjera si qytetarë: arsimi dhe punësimi me theks të veçantë.
Organizata në fjalë u bëri thirrje disa qeverive evropiane të bëjnë më shumë për të sfiduar stereotipat negative dhe paragjykimet kundër Islamit në vendet e tyre. Raporti më tepër u fokusua tek ato vende që ndalojnë bartjen e shamisë ose në mbajtjen e simboleve fetare nëpër shkolla. Njëri nga ekspertët e kësaj organizate, Marco Perolini, shprehet duke thënë: “Në vend se ti luftojnë këto paragjykime, partitë politike dhe zyrtarët publik shumë e më shpesh i kanë lënë pas dore në kërkimin e tyre për vota”. Diskriminimi vërehet më shumë tek gjinia femërore për shkak të bartjes së shamisë, por këtij diskriminimi nuk i shpëtojnë as burrat për shkak të bartjes së mjekrës, ku jo rrallë herë edhe shkarkohen nga puna. Punëdhënësve u është lejuar t’i ndalojnë simbolet fetare ose kulturore për arsye se ato do të fyejnë klientët ose ato bien ndesh me imazhin e kompanive të tyre. Organizata Amnesty tha se kjo është në kundërshtim të drejtpërdrejt me ligjin e Bashkimit Evropian. Eksperti Perolini shton duke thënë: “Legjislacioni i BE-së i cili ndalon diskriminimin në bazë të fesë apo besimit në fushën e punësimit duket të jetë i padobishëm nëpër Evropë përderisa ne jemi duke parë një normë më të lartë të papunësisë në mesin e myslimanëve.”
Është interesant se kjo organizatë në raportin e saj nuk cekë diskriminimin dhe shkeljen e të drejtave që ju bëhet muslimanëve në Kosovë, kur dihet fakti se Kosova, edhe pse ka 96% të banorëve të saj autokton me përkatësi myslimane, zë vendin e parë në Evropë me shkeljen e të drejtave të myslimanëve, në veçanti të femrës myslimane të cilës po i mohohet e drejta e shkollimit dhe punësimit vetëm për shkak të bartjes së shamisë. Mos përfshirja e qeverisë së Kosovës në vërejtjet për diskriminim në baza fetare na habitë edhe më shumë kur dihet fakti se për këtë çështje ka pasur edhe protesta disa herë dhe ato janë përcjellë dhe shfaqur në media të ndryshme botërore.
Si do që të jetë, ne do vazhdojmë edhe më tej ta ngremë zërin për t’i fituar të drejtat tona elementare dhe për ta larguar njëherë e përgjithmonë diskriminimin fetar që po bëhet në Kosovë. Po kështu do të punojmë që të vëmë kontakte edhe me këtë organizatë për të pasqyruar gjendjen e vërtetë të lirisë dhe të drejtave të individit, duke mbetur me shpresë se në raportet vijuese të saj, organizata do ta përfshijë edhe Kosovën, dhe kësisoj, raporti i saj do të jetë një trysni ndërkombëtare për garantimin dhe ushtrimin e lirive dhe të drejtave të myslimanëve në Kosovë.
Me rrespekt
Shefqet Krasniqi