PSD ka njoftuar se anëtari i kësaj partie, Frashër Krasniqi është sulmuar nga ish’kandidati për deputet i Vetëvendosjes, Albin Gashi.
“Albin Gashi, ish kandidati i VV- së për deputet dhe djali i Tomë Gashit, ka sulmuar fizikisht Frashër Krasniqin. Pa asnjë arsye dhe pa asnjë zënkë paraprake. I njejti, duke sulmuar shante Nol Nushin Sharjet masive, kërcënimet e linqimet janë mënyrë funksionimi e partisë në pushtet. Nevojitet pak gjë që kjo gjendje e dhunës të shndërrohet në manifestim konkret.
Kur argumenti i vetëm është ai i numrave dhe i forcës, sigurisht se mujsharia është sjellja politike që pason. Kjo mënyrë e pushtetit të shkuar nuk supozohej me qenë pushteti i ri”, thuhet në njoftim.
Nga PSD’ja kanë kërkuar që me rastin të merret policia e Kosovës.
“Me këtë rast dhe rastet e ngjashme duhet të merret policia, por tejkalimi i kësaj gjendjeje është i mundur vetëm përmes demokratizimit të shoqërisë. Pengesa kryesore për këtë gjë sot është partia në pushtet”, thuhet tutje.