Dr. Reshat Ymeri njihet nga populli i Preshevës, pa dallim race, gjinie, moshe, kombësie apo përkatësie lokale, si “mjek popullor”. Por, sidomos nga pleqtë me nevoja urgjente për shërbime shëndetësore, Dr. Reshati, thjeshtë, adhurohet. Sepse, Dr. Reshati më shumë se tri dekada ka qenë kujdestar ditë e natë, 24 orë në ditë dhe 365 ditë në vit, në festa e vikende, ditë e natë, në shërbim të pacientëve dhe njerëzve në nevojë. Nëse në historinë e shëndetësisë preshevare ekziston një mjek maratonik që me përpikmëri, devotshmëri e përkushtim të pafund ka zbatuar në praktikë të përditëshme Betimin e Hipokratit, atëherë sigurisht se pa kurrëfarë dileme ky do ishte Dr. Reshati!
Janë të panumërta thirrjet “on line” në telefonin e Dr. Reshatit në çdo kohë e në çdo orë, në mesnatë apo në orët e herëshme të mëngjesit, kur të gjithë të tjerët flejnë dhe shijojnë rehatinë e pushimin e merituar, kurse Dr. Reshati me çantën e tij i sakrifikon të gjitha këto dhe duke nxituar drejtohet kah pacientët që e kishin ftuar me lotë dhe përgjërime, në panik e trishtim, Dr. Reshatin. Dhe, sapo hyn në derë, pacientëve sikur u kthehet vetëbesimi dhe këndellen, meqë u kthehet siguria nga fjalët e para të Dr. Reshatit, i cili, si askush tjetër din t’i inkurajoj e t’i përkdhelë të sëmurit në gjendje të rëndë e të pashpresë.