Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka fituar një marrëveshje prej 15 milionë dollarësh kundër rrjetit prestigjioz ABC News. Kjo marrëveshje erdhi si rezultat i një padie për shpifje, ku gazetari George Stephanopoulos deklaroi në mënyrë të pavërtetë se Trump ishte shpallur “përgjegjës për përdhunim”.
Ky rast është një shembull i fuqishëm që tregon pasojat ligjore dhe financiare të shpifjes nga media dhe gazetarët, duke ngritur pyetjen: sa herë është abuzuar në Kosovë me figura publike përmes shpifjeve të pabazuara?
Në një kontekst më lokal, është e rëndësishme të kthehemi te presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), z. Agim Ademi, i cili ka qenë shpesh objekt i akuzave publike dhe sulmeve mediatike. Emra të njohur të gazetarisë dhe platformave mediatike në Kosovë kanë artikuluar akuza për keqpërdorim dhe korrupsion kundër tij, gjithnje pa ofruar asnje prove.
Z. Ademi padit mediat – Përkushtimi për të kontribuar në sportin e të rinjve
Ndryshe nga raste të tjera, z. Agim Ademi tashmë ka ndërmarrë hapa konkretë duke paditur një numër mediash dhe gazetarësh për shpifje dhe dëmtim të reputacionit. Paditë janë aktualisht në proces, dhe z. Ademi pret vendimet e gjykatave për të vërtetuar të drejtën e tij dhe për të mbrojtur figurën e tij si një lider i futbollit kosovar.
Në një prononcim per “Presheva Jone”, z. Ademi, pa përmendur emra specifikë të mediave apo gazetarëve të paditur, deklaroi se nëse do të demshpërblehej për shpifjet e bëra ndaj tij, të gjitha fondet e fituara do të investoheshin në pajisje sportive për shkollat e futbollit në Kosovë. Ky premtim tregon përkushtimin e tij për të përdorur çdo fitim të mundshëm jo për interesa personale, por për të mbështetur zhvillimin e të rinjve dhe promovimin e sportit.
A mund të ndjekë Agim Ademi shembullin e Trump?
Rasti i Donald Trump-it na kujton se të drejtat ligjore për mbrojtjen e reputacionit janë universale dhe të aplikueshme kudo. Nëse Trump mund të kërkojë dëmshpërblim prej 15 milionë dollarësh për shpifje, atëherë pse një figurë si Agim Ademi të mos kërkojë disa qindra mijëra euro nga ata që kanë dëmtuar reputacionin e tij?
Duke parë që rasti Trump ka ngritur standarde të reja për të kërkuar drejtësi kundër shpifjeve, z. Agim Ademi po ndjek rrugën ligjore për të mbrojtur reputacionin e tij. Kjo jo vetëm që mund të vendosë një precedent të rëndësishëm ligjor në Kosovë, por mund të sjellë edhe përfitime konkrete për të rinjtë dhe sportin në vend.
Koha është që media në Kosovë të reflektojë dhe të rrisë standardet e saj profesionale, duke shmangur shpifjet dhe duke mbajtur një qëndrim më të përgjegjshëm përballë opinionit publik.