llookkZagreb, 14 prill – Pas Tiranës, në Zagreb, me praninë e një numri të madh të bashkatdhetarëve që jetojnë dhe veprojnë në Kroaci, e në mesin e tyre edhe miq kroat, u promovua libri shkencor, libër me material të doktoratës së Dr.Llukman Halilit në gjuhën kroate „ Studentski pokret i tranzicija Albanije 1990-1992“. Këtë libër e ka botuar Bashkësia Shqiptare e Rijekës me redaktore, zonjën deputete të Parlamentit Kroat, Emine Lekaj Perlaskaj.

E veçantja e këtij promovimi ishte, se u organizua nga Unioni i Bashkësive Shqiptare në Kroaci me seli në Zagreb. Salla Bruksel, e “Shtëpisë Europiane“ në metropolin Zagreb, si asnjëherë më parë, ishte tërësisht me shqiptarë, e në mesin e tyre edhe media kroate, ekip i TV publik kroat HTV si dhe gazetarë të revistës Informatori. Ishte e gjithë kryesia e Unionit të Bashkësive Shqiptare në Zagreb, me kryetar Esad Çollaku, sekretar Riza Hoxha dhe redaktori i revistës Informatori, revistë që botohet në Zagreb Sejfedin Prekazi.

Nga Sllovenia kishte ardhur Prof.dr.Martin Berishaj, që është edhe recenzent i librit, i shoqëruar me disa veprimtarë të tjerë shqiptarë që jetojnë dhe veprojnë në Slloveni.

Nndërsa nga Zvicra, kishte ardhur edhe gazetari, Mr.sc.Dashnim Hebibi, në cilësin e drejtorit të Institutit Shkencor Helvetik të Europës Juglindore me seli në Kantonin Aargau. Deputetja e Parlamentit Kroat zonja Perlaskaj, ishte ajo që bashkëbisedonte me disa intelektualë të Kroacisë në lidhje me librin e z.Halili, e ndërsa zoti Halili, gjersa jepte një intervistë për televizion kroat, erdhën edhe librat e tij, që ishin bërë gati për ti dhuruar për të pranishmit. Ashtu edhe si ishte paraparë, promovimi filloi në orën 18.00 dhe vazhdoi deri në orën 19.20.

Është për të vlerësuar këtë organizim nga stafi i Unionit të Bashkësive Shqiptare në Kroaci të cilët me përpikshmëri, bënë që ky promovim të kalohet si është më së miri.

Promovimin e moderoi Ariana Prekazi e cila më pas i dha fjalën, deputetes zonjës Perlaskaj e cila përshëndeti të pranishmit dhe autorin. Ndërsa z.Çollaku, veprimtar i dalluar e njëherit kryetar i Unionit, përshëndeti të pranishmit dhe autorin si dhe vlerësoi lart punën që është bërë në këtë libër. Me një fjalë rasti, por në gjuhën kroate, Prof.dr. Martin Berishaj, kujtoi ditët e protestave të studentëve në Shqipëri, ku bëri një lidhje shumë interesante, me punën që ka bërë në këtë libër Dr.Halili, si protagonist kryesor i gjithë atyre ngjarjeve në Shqipëri. Profesor Berishaj, vlerësoi lart librin dhe shpalosi edhe risi të tjera nga z.Halili, që është duke përgaditur libër tjetër. Ndërsa, analisti dhe politikologu i mirënjohur kroat, z.Davor Gjenero, i cili e kishte lexuar librin në tërësi dhe me përpikshmëri e hollësi shkencore, bëri një rezyme të librit duke i dhënë notën më të madhe të mundshme shkencore. Ai ndër të tjera shtoi: „Libri i z.Halili është kontribut i madh, jo vetëm i politologjisë kroate por në tërësi“. E krejt në fund, fjala iu dha edhe autorit të librit, i cili ishte edhe student i Zagrebit dhe njëherit kishte magjistruar dhe doktoruar poashtu në Kroaci, i cili falënderoi Unionin që ka mundësuar të del në dritë libri, deputeten zonjën Perlaskaj, Çollaku, Sejfedin Prekazi e të gjithë të tjerët me sa mundësi kanë pasur për të kontribuar, që ky libër të jetë në duart e lexuesit. Z.Halili, i njoftoi të pranishmit, se së shpejti, do të del me dy projekte në kuadër të Institutit Shkencor Helvetik të Europës Juglindore, i cili është edhe president i saj. Disa nga të pranishmit, edhe bashkëbiseduan me autorin në lidhje me ato ngjarje të asaj kohe, kur autori ishte në Shqipëri. Krejt në fund, autori, nënshkruajti për të interesuarit librin e tij dhe bënin foto kujtimi. Ky eveniment kulturorë e shkencor, kaloi si është më së miri, ndërsa shumë shpejt, po ky libër do të promovohet edhe në Rijekë si dhe në Sarajevë, / Anëdrin Bilalli, Zagreb

SHPËRNDAJE