Vendimi i fundit i gjykatës në Kosovë për “ruajtjen dhe mbajtjen e vlerës” së pronave të konfiskuara të Milan Radojçiqit është një sinjal alarmant që tregon hendekun e thellë të qasjes ndaj drejtësisë dhe përparësitë e dyfishta që zbatojnë institucionet tona ndaj kriminelëve dhe qytetarëve të thjeshtë. Ndërsa Radojçiq, një individ i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara dhe i përfshirë në listat e zeza për krime dhe terrorizëm, është nën akuzë për organizimin e sulmit të armatosur në Banjskë ku u vra polici kosovar Afrim Bunjaku, gjykatat dhe qeveria duken të prirura ta trajtojnë me një kujdes të veçantë, duke mos e ekzekutuar plotësisht vendimin e konfiskimit.
Në vend që t’i japin pronat e Radojçiqit një përdorimi që reflekton ndëshkimin për krimet e tij, institucionet tona kanë vendosur që ato të “ruhen”, një masë që çon në mbrojtjen indirekte të pasurisë së tij, e cila, sipas këtij ritmi, mund të jetë e gatshme për t’i kthyer pronarit kur të ndryshojnë rrethanat. Kjo qasje kontraston me trajtimin e pasurive të qytetarëve të Kosovës, të cilët, shpesh edhe pa një vendim përfundimtar, kanë përjetuar shkatërrimin e pasurive të tyre nga autoritetet, pa asnjë kujdes për ruajtjen e vlerës së tyre. Ndërkohë, Serbia vazhdon të refuzojë ekstradimin e Radojçiqit për ta sjellë përballë drejtësisë në Kosovë.
Në këtë kontekst, afera “Zdravo” është dëshmi e bashkëpunimit të dyshimtë mes qeverisë dhe kriminelëve të lidhur me Beogradin, që, sipas përgjimeve të zbuluara, kanë bashkërenduar politikat dhe agjendën legjislative të qeverisë dhe partisë në pushtet me interesat kriminale serbe. Kjo tregon se në vend që të përballen me kërcënimet reale për shtetin dhe qytetarët, institucionet tona po bëhen instrumente që ndihmojnë dhe mbrojnë një kriminel të njohur ndërkombëtarisht, duke cënuar integritetin e drejtësisë në vend dhe duke goditur besimin e qytetarëve në të.
Shkruan: Hisen Berisha